Për situatën e krijuar në veri dhe kërkesat e ndërkombëtarëve për shtensionimin e shpejtë të situatës, në televizionin France24, ka folur kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.
Gjatë intervistës disaminutëshe, Kurti ka thënë se zgjedhje të parakohshme në veri mund të ketë pas disa muajve. Kurti ka thënë se zgjedhjet mund të ketë vetëm pas heqjes së grupeve të dhunshme nga veriu.
“Pas disa muajve mund të kemi zgjedhje të parakohshme, por ky nuk është qëllimi. Qëllimi është sundimi i ligjit. Duhet së pari të heqim bandat e dhunshme dhe vetëm atëherë mund të kemi zgjedhje”, ka deklaruar kryeminstri.
Ndërkohë, i dërguari i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, ka thënë se zgjedhjet e reja në katër komunat në veri nuk duhet ta presin fundin e korrikut.
Po ashtu, kryeministri Kurti ka thënë se zgjedhjeve duhet t’i paraprijë edhe një kampanjë e lirë dhe fer. Ai ka deklaruar se në Kosovë nuk mund të merret pushteti pa pjesëmarrje në zgjedhje.
“Së pari na duhet një kampanjë e liurë dhe fer, e pastaj zgjedhje të parakohshme. E di që di këta katër kryetarë nuk do të rizgjedhen. Por në Kosovë s’mund ta marrësh pushtetin pa pjesëmarrje në zgjedhje”, ka deklaruar kryeministri.
Për katër kryerarët shqiptarë në komunat veriore, Kurti ka thënë se legjitimiteti i tyre është i ulët, por ka deklaruar se nuk është faji i tyre për bojkotin e zgjedhjeve në këto komuna.
“Nuk është faji i kryetarëve aktualë, që kishte dalë dalje të ulët në zgjedhje. Ata janë legalë. Është e vërtetë që legjitimiteti i tyre politik është i dobët, por i të tjerëve është zero”, ka thënë tutje ai.
Sipas kryeministrit, për shkak se ka dështuar ideja e shkëmbimit territorial me Serbinë, tani kjo përpjekje është bërë e dhunshme.
“Para disa viteve, shkëmbimi kufitar ishte eufemizëm për ndarjen e Kosovës. Tani, projekti për ndarjen e Kosovës, është bërë i dhunshëm. Serbia dhe Rusia e urrejnë faktin që Kosova është storie suksesi e ndërhyrjes së NATO-s dhe progresit ekonomik dhe demokratik”, ka thënë në fund ai.