Dardanët do të përballen më 5 qershor me Norvegjinë në një miqësore, që do të zhvillohet në Oslo.
Franco Foda ka ftuar 23 futbollistë për këtë përballja, ku Ermal Krasniqi është grumbulluar për herë të parë nën urdhrat e gjermanit, ndërsa Art Smakaj është hera e parë që është me ekipin A.
Si Krasniqi, ashtu edhe Smakaj u shfaqën të lumtur për grumbullimin, kur folën pas stërvitjes së parë.
Ermal Krasniqi që kaloi një sezon tjetër të mirë në Rumani, tha se është ndjenjë e veçantë sa herë që ftohet nga Kosova.
“Rikthehem në kombëtare dhe çdo herë është ndjenjë e veçantë sa herë që ftohem nga Kosova. Kjo ishte stërvitja e parë për mua me trajnerin e ri dhe më ka pëlqyer shumë puna e tij dhe do të jap gjithmonë më të mirën nga vetja. Miqësorja kundër Norvegjisë është një test shumë i vështirë por ne kemi skuadër shumë të mirë dhe duhet të mësohemi të luajmë kundër ekipeve të forta, pasi në kualifikime do të takohemi me skuadra të tilla.”
Në anën tjetër, i riu Art Smakaj, që ka qenë i rregullt me Lokomotivën në Kroaci, ka marrë ftesën për herë të parë nga ekipi A, ku e quajti si ndjenjë të papërshkrueshme ftesën.
“Ndjenjë e papërshkrueshme, shumë jam i gëzuar që mundem ta përfaqësoj Kosovën. Grumbullimi i parë është për lojë miqësore, por ndeshje shumë e rëndësishme për të ardhmen, dhe shpresoj rezultat pozitiv. Po premtoj se do të shkojmë se të zhvillojmë një ndeshje të mirë, besoj se do të kthehemi me rezultat pozitiv dhe InshaAllah do të debutoj.”
Kosova përballet me Norvegjinë në një ndeshje miqësore më 5 qershor në Ullevaal Stadium në Oslo, që do të jetë e vetmja ndeshje e këtij muaji, pasi në çastet e fundit dështoi një miqësore tjetër me një kombëtare aziatike.