Presidenti i Turqisë, Taip Erdogan është takuar sot me Presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani.
Pas takimit, Erdogan dhe Osmani kanë mbajtur së bashku në konferencë për media, ku kanë folur edhe për zhvillimet e fundit në rajon dhe botë.
Ndër të tjerash, Erdogan është pyetur nga një gazetare nëse Turqia do të ndihmojë procesin e anëtarësimit të Kosovës në NATO.
“Sa i përket pjesës së anëtarësimit të Kosovës në NATO, ju e dini se Turqia gjithmonë ka mbështetur Kosovën në këtë proces. Ne si anëtar i rëndësishëm në NATO, nuk kemi nevojë të marrim leje nga askush për t’i ofruar mbështetje Kosovës, ashtu siç kemi bërë deri më tani. Ne do të vazhdojmë të mbështesim anëtarësimin e Kosovës në NATO”, ka thënë Erdogan, transmeton lajmi.net.
Ai ka folur edhe për procesin e njohjeve të Pavarësisë së Kosovës, duke thënë se kur Kosova ka shpallur Pavarësinë, ai kishte qenë kryeministër dhe ka marrë vendim që të njohë Kosovën sapo kishte kuptuar lajmin për shpalljen e Pavarësisë.
Erdogan ka theksuar se mbështetja e Turqisë për Kosovën në politikën e jashtme vazhdon edhe sot kur ai është president.