10.9 C
New York
Thursday, May 22, 2025

Buy now

Erdogan thotë se s’do të kandidojë më për president

- Advertisement -

Presidenti turk Recep Tayyip Erdogan ka deklaruar sërish se nuk ka aspak ambicie personale për t’u rizgjedhur apo për të qenë kandidat për president.

Sipas mediave turke, në deklaratat e dhëna gjatë një fluturimi të kthimit nga një samit në Budapest, Erdogan ka thënë se “duhet kushtetutë e re,” jo për të, por për vendin.

“Ne duam një kushtetutë të re jo për veten tonë, por për vendin tonë. Nuk kam asnjë hall të rizgjidhem apo të jem sërish kandidat. Ajo që na shqetëson është si t’i rrisim më tej dinjitetin dhe reputacionin e vendit tonë në arenën ndërkombëtare,” raportohet të jetë shprehur presidenti turk.

Ndërkohë, nga ana tjetër ka ardhur një reagim i ashpër nga opozita, ku nënkryetari i grupit parlamentar të CHP-së, Ali Mahir Basarir, i është përgjigjur Erdoganit në lidhje me deklaratat për kushtetutën, duke i thënë se nuk mund të bëhet më president për shkak të ndryshimeve kushtetuese që i ka bërë vetë, prandaj s’ka pse tregohet sikur “po bën nder”.

“Duke thënë se ‘nuk do të jem më kandidat’, nuk po na bën ndonjë nder. Sipas kushtetutës që vetë ti ke hartuar, nuk ke më të drejtë të kandidosh. Pra, nuk mund të jesh më kandidat. Ne thamë ‘le të ketë zgjedhje në nëntor, ta shpëtojmë këtë vend dhe populli të marrë frymë’, por ti nuk lejon as këtë. Atëherë është e qartë që nuk do të jesh më kandidat dhe kushtetutën e re do ta bëjnë deputetët e mazhorancës së re që do të dalë nga zgjedhjet e ardhshme,” ka thënë Basarir.

Deklaratat e fundit nga politikanët turq, rikthejnë edhe një herë debatin mbi kufizimet kushtetuese për mandatin presidencial dhe qëllimin real të iniciativës për ndryshimin e kushtetutës në Turqi.

Të ngjashme

Të fundit