Presidenti i Turqisë, Rexhep Erdogan, tha të mërkurën se militantët kurdë në Siri ose do t’u thonë lamtumirë armëve të tyre, ose “do të varrosen”, në kohën e armiqësive mes luftëtarëve sirianë të përkrahur nga Turqia dhe militantëve kurdë që nga rënia e ish-presidentit Bashar al-Assad më herët këtë muaj.
Pas ikjes së Assadit në Rusi, Ankaraja në mënyrë të përsëritur ka këmbëngulur se grupi militant kurd YPG duhet të shpërbëhet, duke pohuar se ai nuk ka vend në të ardhmen e Sirisë. Ndryshimi i udhëheqësisë së Sirisë i ka lënë fraksionet kryesore kurde atje në disavantazh.
“Vrasësit separatistë ose do t’u thonë lamtumirë armëve të tyre, ose do të varrosen në tokat siriane bashkë me armët e tyre” – tha Erdogani para deputetëve të partisë së tij në Kuvendin e Turqisë, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.
“Ne do ta çrrënjosim organizatën terroriste që po mundohet të ndërtojë një mur gjaku mes nesh e vëllezërve e motrave tona kurde” – shtoi ai.
Turqia e cilëson grupin YPG – kryesori në aleancën e Forcave Demokratike Siriane të mbështetura nga ShBA-ja – si zgjatje të Partisë së Punëtorëve të Kurdistanit – PKK, e ndaluar me ligj në Turqi. PKK-ja ka zhvilluar kryengritje kundër shtetit turk që nga viti 1984.
PKK-ja cilësohet organizatë terroriste nga Turqia, Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian. Ankaraja në mënyrë të përsëritur u ka bërë thirrje Uashingtonit dhe vendeve të tjera që ta ndërpresin mbështetjen për YPG-në, transmeton nacionale.
Më herët, Ministria e Mbrojtjes e Turqisë tha se forcat e armatosura turke kishin vrarë 21 militantë të YPG-PKK-së në Sirinë veriore dhe në Irak.
Në një intervistë me agjencinë “Reuters” javën e kaluar, komandanti i Forcave Demokratike Siriane, Mazloum Abdi, e pranoi për herë të parë praninë e luftëtarëve të PKK-së në Siri, duke thënë se ata kishin dhënë ndihmë në luftimet kundër ISIS-it dhe se do të ktheheshin në shtëpi, nëse do të arrihej një armëpushim i plotë me Turqinë. Kthimi i tyre në shtëpi është kërkesë thelbësore e Ankarasë.
Erdogani tha gjithashtu se Turqia së shpejti do ta hapë konsullatën e saj në Aleppo.