3.4 C
New York
Saturday, November 30, 2024

Buy now

Erdogan do të vizitojë Irakun për herë të parë pas një dekade

- Advertisement -

Në krye të agjendës së Presidentit Rexhep Tajip Erdogan në Bagdad është sigurimi i mbështetjes për ofensivën e planifikuar të Turqisë kundër grupit kryengritës kurd, PKK. PPK-ja ka përdor Irakun si bazë prej dekadash për të zhvilluar luftën e saj kundër forcave turke.

Analistët janë të mendimit se Turqia ka një plan.

“Turqia dëshiron të fillojë një strategji gjithëpërfshirëse që ka bazë ekonomike, shoqërore dhe të sigurisë. Dhe ndërkohë të zgjerojë kapacitetet e forcave irakiane të sigurisë dhe në atë formë Iraku mund të bëhet më i sigurt dhe Turqia mund të ndjehet më e sigurt”, thotë Murat Aslan, nga Fondacioni për Hulumtime politike, ekonomike dhe shoqërore.

Muajin e kaluar, Ankaraja korri një fitore diplomatike kur autoritetet irakiane ndaluan veprimtarinë e PKK-së. Presidenti Erdogan ka edhe përparësi të tjera për të siguruar lëshime. Aktualisht Iraku po përjeton thatësirë dhe Bagdadi zyrtar po kërkon nga Turqia që të hapë digat për të lëshuar më shumë ujë në lumenjtë që rrjedhin nëpër Irak, një kërkesë që udhëheqësi turk thotë se është i gatshëm ta shqyrtojë.

Analistët thonë se thellimi i marrëdhënieve tregtare është gjithashtu pjesë e rëndësishme e agjendës së presidentit turk. Ai synon të shtojë kalimin ndërkombëtar të mallrave përmes Irakut si pjesë e një rruge të re tregtare ndërmjet Kinës dhe Evropës.

Sipas ish diplomatit turk, i cili ka shërbyer në Irak, ky është edhe qëllimi i vizitës së zotit Erdogan në Irak.

“Pika qendrore e kësaj vizite presidenciale në Irak, në Bagdad dhe Erbil, do të jetë e ashtuquajtura rrugë e zhvillimit, që do të lidhë portin e Basrës me kufirin turk apo me një pikë të re kufitare”, thotë ai.

Zoti Erdogan thotë se ndoshta do të vizitojë Erbilin, kryeqytetin e Kurdistanit gjysmë-autonom, me të cilin udhëheqësi turk ka zhvilluar marrëdhënie të afërta.

Analistët, megjithatë, paralajmërojnë se qëllimi i tij për të zgjeruar ndikimin turk në Irak mund të pengohet nga Irani, që ka ndikim të konsiderueshëm në Irak.

“Në Bagdad, as dielli nuk lind pa miratimin e Iranit. Si do të jetë e mundur për Ankaranë t’i krijojë kushtet dhe të ndërtojë kapacitetin për të bashkëpunuar me Irakun? Ende më duket e diskutueshme dhe e pamundur”, thotë Aydin Selcen, ish diplomat turk.

Disa vëzhgues thonë se Bagdadi shpreson që Ankaraja të baraspeshojë ndikimin e Teheranit, sidomos tani përballë spekulimeve se Shtetet e Bashkuara mund t’i tërheqin forcat e mbetura nga Iraku.

“Shumë nga qarqet elitare në Irak nuk janë të kënaqur me ndikimin e gjerë që Irani ushtron ndaj vendit të tyre dhe Turqia mund të baraspeshojë atë. Dhe mendoj se Turqia ka dëshirë të luajë rolin e balancuesi këtu, ngase si secili shtet në rajon, nuk është shumë e kënaqur me fuqinë që Irani ka në Irak, në Siri, në Liban, në Jemen.”

Analistët thonë se vizita e zotit Erdogan në Irak mund të sjellë ndryshime, por po ashtu mund të nxisë rivalitetin historik ndërmjet Turqisë dhe Iranit./VOA

Të ngjashme

111,400FansaPëlqeje
12,000NdjekësitNdjek

Të fundit