Për herë të parë në Kosovë, inteligjenca artificiale (AI) po përdoret drejtpërdrejt në një fushatë zgjedhore. Këtë e bëri Enver Hoxhaj.
Ish-ministri i jashtëm, Enver Hoxhaj, ka publikuar një video të realizuar me AI, duke hapur një kapitull të ri në komunikimin politik dhe modernizimin e fushatave elektorale në vend.
Në video, Hoxhaj lidh historinë kombëtare me vizionin strategjik të së ardhmes së Kosovës, duke theksuar rolin historik të Kosovës në shtetformimin shqiptar dhe orientimin euroatlantik të vendit:
“Në vitin 1878, para 147 vitesh, pikërisht në këtë ndërtesë lindi ideja e Shqipërisë së pavarur… Pas 130 vitesh, në vitin 2008, ne krijuam shtetin e dytë shqiptar në Ballkan, Kosovën.”
Ai nënvizon se Kosova është “djepi i idesë së Shqipërisë së pavarur, por edhe i Kosovës së pavarur”, duke shtuar se anëtarësimi i Kosovës në NATO duhet të ecë paralelisht me anëtarësimin e Shqipërisë në BE.
“Kjo nuk arrihet me beteja primitive politike, por me vizion strategjik të ndërtuar mbi interesat shtetërore.”






