24.7 C
New York
Thursday, June 26, 2025

Buy now

Enver Hoxhaj: Midis vizionit dhe heshtjes – një udhëkryq për PDK-në

- Advertisement -

Shkruan: Blerim Canaj

Kur mungojnë idetë, zërat e qartë kthehen në shqetësim. Qasja e Enver Hoxhajt në intervistën në RUBIKON tregoi më shumë për krizën e orientimit në PDK sesa për vetë atë.
Që nga shkurti i këtij viti, kur gjatë fushatës për zgjedhjet lokale u shfaq herë pas here në media, Enver Hoxhaj qëndroi në heshtje, i përmbajtur nga pjesëmarrja e drejtpërdrejtë në debatet ditore. Që pas zgjedhjeve atë e pamë në konferenca të ndryshme dhe në takime me lider të shumtë botërorë.

Para pak ditësh e pamë të ishte në vizitë tek krerët e luftës dhe shtetit në Hagë. E vetëm disa ditë pas vizitës që i bëri Hashim Thaçit dhe Kadri Veselit në Hagë, ai u rikthye në skenën publike me një intervistë që nxiti debat të menjëhershëm, por këtë herë jo për shkak të retorikës agresive, por për shkak të qartësisë.

Hoxhaj artikuloi dy qëndrime të rëndësishme:
1. Ai nuk e përjashtoi mundësinë e një koalicioni me Vetëvendosjen, nëse përputhen në vlera dhe drejtim duke theksuar se kandidati i tij i preferuar për kryeministër është Bedri Hamza dhe
2. Shpalli synimin e tij për të kandiduar për kryetar të PDK-së në konventën e ardhshme pas zgjedhjeve komunale.
Sa mund të vërehej qartazi, kjo ishte një dalje që nuk kërkonte përplasje, por qartësi. Nuk kërkonte të krijonte front, por të ofronte drejtim. Në vend të mllefit ai ofroi ide. Në vend të polarizimit ai kërkoi dhe propozoi zgjidhje.
Por pse sfidohet Hoxhaj?

Me siguri edhe për faktin që ai nuk kërkon leje për të menduar apo sepse ai përfaqëson një linjë politike që partinë e tij PDK-në e sheh si projekt shtetformues e jo si instrument për mbijetesë personale.

Në intervistën e tij, Hoxhaj u paraqit si politikan modern: pa populizëm, pa përçarje, pa thirrje për hakmarrje, pa slogane të vjetra.
Ai, duke analizuar situatën e re gjeopolitike, artikuloi vizion dhe përgjegjësi si dy elemente që mungojnë prej kohësh në diskursin politik në Kosovë.
Dhe kjo natyrisht që për disa është e padurueshme sepse prej vitesh politika vendore është ndërtuar mbi zhurmën, jo mbi idenë.

Hoxhaj doli me këto qëndrime kur PDK-ja sot është përballë një pyetje të madhe ekzistenciale: A do të jetë një parti që mbështetet në ide dhe drejtim, apo një strukturë që mban gjallë klane të frikësuara nga çdo mendim ndryshe?
Rasti i Enver Hoxhajt është test i qartë: një figurë që nuk është “risi” por vazhdimësi e natyrshme e asaj që PDK ka qenë kur kishte guxim, vizion dhe vendimmarrje politike. Dhe për më shumë, ai është dëshmi se ende ka njerëz në këtë parti që mendojnë dhe nuk i frikësohen mendimit.

Hoxhaj nuk kurseu as kritikën për bllokadën institucionale, as për heshtjen që po shndërrohet në tradhti ndaj qytetarëve. Tregoi hapur që PDK që ka ndërtuar shtetin, di edhe ta mbrojë atë. Me këtë qëndrim ai qytetarit i tregoi që fajin për bllokimin e institucioneve e ka VV!

Por Kosova dhe partitë politike e edhe PDk ku bënë pjesë Hoxhaj sikur kanë mbetur pa njerëz që dinë të mendojnë e aq më pak të lexojnë politikisht dhe janë në rrezik të mos e kuptojnë as mesazhin, as kërcënimin që e pret nëse hesht përballë krizës politike dhe nevojës për ringritje për të cilën ka shumë nevojë një parti si PDK!

 

Të ngjashme

Të fundit