Në videon e tretë të fushatës elektorale, të realizuar me teknologji AI, ish-Ministri i Punëve të Jashtme, Enver Hoxhaj, ka theksuar përvojën e tij diplomatike dhe objektivat konkrete të Kosovës në arenën ndërkombëtare.
Hoxhaj deklaroi se ka vepruar në qendrat ku merren vendimet reale globale, jo për protokoll, por për anëtarësime që përcaktojnë peshën e një shteti.
Sipas tij, gjatë mandatit si Ministër i Jashtëm, Kosova është anëtarësuar në mbi 30 organizata kyçe ndërkombëtare, aty ku shtetet vlerësohen për ndikim dhe përgjegjësi, jo për retorikë.
Ai nënvizoi se beteja diplomatike vazhdon dhe se objektivat janë të qarta: “anëtarësimi i Kosovës në Këshillin e Evropës, Organizatën Botërore të Shëndetësisë dhe agjencione të tjera të Kombeve të Bashkuara.”
“Anëtarësimi nuk është dekor. Është sovranitet shtetëror,” theksoi Hoxhaj, duke shtuar se vendi duhet të jetë pjesë e vendimmarrjes ndërkombëtare për fatin e vet dhe për kontributin ndaj të tjerëve.
Sipas tij, vizioni është një Kosovë në qendër, e lidhur ngushtë me botën dhe e pranishme aty ku merren vendimet që përcaktojnë të ardhmen globale.
Video:






