Kryeshefi ekzekutiv i Operatorit të Sistemit, Transmisionit dhe Tregut të energjisë elektrike të Kosovës (KOSTT), Evetar Zeqiri ka thënë se nuk e di se si do të jetë situata me energjinë elektrike natën e Vitit të Ri.
Në “Kiks Kosova”, ai nuk ka garantuar se do të ketë energji elektrike, duke shtuar se ditët e para të janarit konsumi është më i lartë.
“Nuk e di saktësisht se si do të jetë situata, por kemi bërë apel dhe lutje te qytetarët që të bëhet një racionalizim sa më i madh i energjisë elektrike, të paktën këtë periudhë dhe ditët e para të janarit kur konsumi historikisht është më i lartë. Këtë vit është më i lartë se vitet tjera.” – ka thënë ai.
Ndërkohë, Zeqiri të premten habiti me një deklaratë të tij, ku mes tjerash tha se sistemi po përballet me ngarkerë, për shkak të “zhvillimit ekonomik”.
“Si Operator i Sistemit të Transmetimit dëshirojmë të sqarojmë qytetarët, bizneset, mediat që Sistemi Elektroenergjetik është duke u përballur me ngarkesë të jashtëzakonshme, si rezultat i zhvillimit ekonomik, që ka ndodhur në vitet e fundit; si rezultat i elektrifikimit të ekonomive e bizneseve tona. Operatori i Sistemit të Transmisionit është duke bërë maksimumin e mundshëm, që të operojë në kapacitetet tona.” – tha ai në një konferencë për media.