Gjurmët me nuk vërehen nga jashtë, por enigma vazhdon ende për atë që ndodhi mbrëmjen e 24 gushtit në repartin e Urgjencës dhe Intensives në Kliniken e Psikiatrisë.
Atë natë, brenda qendrës ku trajtohen personat me problem mendore, zjarri që përfshiu një dhomë të izolimit u bë shkas që një pacient të vdes e lëndime kishin marrë katër të tjerëve në mesin e tyre edhe personeli shëndetësorë.
Heshtja për atë që ndodhi po vazhdon nga Drejtoria e Shërbimit Spitalor Klinik Universitar.
Këta të fundit, nuk kanë dhënë përgjigje konkrete nëse janë ndërmarr masa disiplinore ndaj personelit të Klinikës që gjendeshin në punë në natën kritike. Madje nuk kanë treguar nëse të njëjtit edhe janë nën hetime.
“Komisionet përkatëse në QKUK janë duke trajtuar këtë çështje dhe sapo të kemi raportin e plotë në të ju informojmë lidhur me veprimet e mëtejme!”, thonë nga Drejtoria e SHSKUK-së.
Prokuroria Themelore në Prishtinë kanë treguar se kanë përfunduar marrjen e dëshmive dhe se po presin përfundimet e raportit të autopsisë.
“ Që nga ajo kohë ne jemi në pritje të raportit të obduksionit e po ashtu është lëshuar urdhëresa edhe për angazhimin e një eksperti të zjarrit për çka edhe jemi në pritje të raportit për të vlerësuar se si ka ardhur deri të zjarri”, ka thënë Laureta Ulaj-Prokuroria Themelore në Prishtinë.
E nga Instituti i Mjekësisë Ligjore për Dukagjinin kanë thënë se raporti ende nuk është kompletuar pasi që janë në pritje të analizave toksikologjike.
Mirëpo, vonesat e raportit përfundimtar të obduksionit shihen shqetësuese.
“Fatkeqësisht nuk është rasti I vetëm që ndodh vdekja e dyshimtë në institucionet e shëndetësisë dhe që vonohen procedurat e hetimit dhe zbardhja e rrethanave se si ka ndodhë dhe pastaj përgjegjësit të vihen para drejtësisë, ka edhe raste të tjera që mbesin me vite pa u zbardhur”, ka thënë Bujar Vitija-Gazetar i Shëndetësisë.
Derisa nuk ka një version përfundimtar, njoftimi i ShSKUK-së mbetet versioni i vetëm se si ka vdekur pacienti që ndodhej në dhomën e izolimit.