Celebrimi i kinemasë zhvillohet nga 27 gushti deri më 6 shtator.
“Bugonia” e Yorgos Lanthimo-s, “Jay Kelly” e Noah Baumbach, “A House of Dynamite” e Kathryn Bigelow dhe “Frankenstein” i Guillermo del Toro do të shkojnë në Lido për premierat e tyre botërore në Festivalin e 82-të Ndërkombëtar të Filmit në Venecia.
Në një konferencë për shtyp, njoftimi i këtyre filmave dhe titujve të tjerë u bë nga Alberto Barbera, Drejtor i Departamentit të Kinemasë dhe Pietrangelo Buttafuoco, president i La Biennale di Venezia.
Filma të tjerë në garën kryesore të Venecias përfshijnë punime të reja nga Paolo Sorrentino (“La Grazia”), Jim Jarmusch (“Father Mother Sister Brother”), Laszlo Nemes (“Orphan”), Park Chan-wook (“No Other Choice”) dhe Benny Safdie (“The Smashing Machine”).
Tre nga titujt të profilit më të lartë në garën kryesore – “Frankenstein”, “A House of Dynamite” dhe “Jay Kelly” – janë prodhime të Netflix.
Filmat jashtë garës përfshijnë “After the Hunt” të Luca Guadagnino, i cili do të sjellë Julia Roberts në festival për herë të parë, “Dead Man’s Wire” të Gus Van Sant dhe “In the Hands of Dante” të Julian Schnabel.
Përveç numrit të madh të filmave të rinj nga autorë të njohur ndërkombëtarë, programi i Venecias përmban një grup dokumentarësh jashtëzakonisht të fuqishëm, midis tyre “Ghost Elephants” të Werner Herzog, “Marc by Sofia” të Sofia Coppola, “Nuestra Tierra” të Lucrecia Martel dhe Laura Poitras.
Seksioni Venecia Spotlight përfshin vepra të reja nga Maryam Touzani, Potsy Ponciroli dhe Stephan Komandarev, ndërsa seksioni Orizzonti kushtuar regjisorëve të rinj do të hapet me filmin “Mother” të Teona Strugar Mitevska, me Noomi Rapace në rolin e Nënë Terezës.
Venecia është i pari nga tre festivalet kryesore të vjeshtës që mbërrijnë njëri pas tjetrit në fund të gushtit dhe fillim të shtatorit dhe zakonisht shfaqin shumë nga filmat që do të jenë në garën për çmime për pjesën e mbetur të vitit.