I dërguari i posaçëm amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, në një takim virtual me gazetarët, ka folur për takimin e djeshëm në Bruksel.
Escobar ka thënë se implementimi i marrëveshjes së arritur në Ohër, fillon me themelimin e Asociacionit.
“Para takimit të djeshëm në Bruksel kemi diskutuar për implementimin e marrëveshjes së arritur në Ohër. Implementimi i saj fillon me themelimin e Asociacionit”, tha Escobar.
Ai shtoi se tani në javët e ardhshme do të ketë takim në nivel të kryenegociatorëve dhe është koha që të lëvizim përpara.
“Normalizimi është i përqendruar në të drejtat e pakicave, veçanërisht të serbëve. Është pritshmëria dhe kërkesa jonë të ecim përpara me këtë”, tha Escobar.
Liderët e Kosovës dhe Serbisë gjatë takimit të djeshëm në Bruksel shprehën qëndrime të kundërta për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë, por u pajtuan për Deklaratën e të Zhdukurve nga koha e luftës.