1.5 C
New York
Thursday, December 26, 2024

Buy now

Emigrimi i mantelbardhëve |103 mjekë dhe 114 infermierë ikën sivjet nga Kosova

- Advertisement -
Pagat e ulëta në sektorin publik dhe kushtet jo të mira në punë ka bërë që dhjetëra mjekë dhe infermierë nga Kosova të emigrojnë drejtë vendeve të Evropës, kryesisht në Gjermani.

Nga Oda e Mjekëve të Kosovës bëjnë të ditur se sivjet nga vendi kanë ikur 103 mjekë, përderisa nga Oda e Infermierëve thonë se numri i kolegëve të tyre që kanë marrë vëretimin etik, si kusht për punësim jashtë vendit, ka arritur në 114.

Muajin e kaluar Qeveria e Kosovës ka marrë vendim që pagat në sektorin publik nga janari i viti 2025 të rriten, mirëpo, një rritje e tillë vetëm se ka irrituar drejtuesit e sindikatave, të cilët thonë se është minimale dhe në shpërputhje me inflacionin e lartë në vend.

Kryetari i Odës së Mjekëve : Rritja e pagave për mjekët  është ‘’hajgare’’, 103 mjekë e kanë lënë sivjet Kosovën

Pleurat Sejdiu, kryetar i Odës së Mjekëve të Kosovës, në një prononcim për FrontOnline ka kritikuar Qeverinë e Kosovëës në lidhje me vendimin për rritjen e pagave, duke e quajtur të njëjtin “hajgare”.

Sipas tij, pagat për mjekët duhej të rriteshin më herët dhe në përputhje me Ligjin, i cili parashikon rritjen e koeficientit dhe çmimit, dhe jo përmes këtyre, siç thotë ai, “këstëve” të vendosura nga Qeveria.

‘’ Kjo rritje e pagave për mjeket ta them të drejtën është pak hajgare. Pagat do të duhej të rriteshin prej janarit dhe të vazhdohej në bazë të Ligjit, ku parashihet rritja e çmimit apo vlerës së koeficientit dhe jo me këto ‘këste’, tha Sejdiu për FrontOnline.

Ai shtoi se çfarë ka bërë Ministria e Shëndetësisë deri tani ka ndihmuar më shumë për të stigmatizuar profesionin e mjekut sesa për të mbrojtur ata si profesionistë.

‘’Çdo gjë që është bërë nga kjo Ministri është bërë në dëm të mjekëve, apo duke stigmatizuar mjekun si profesionist. Te mjeku kanë stigmatizuar profesionin, Ministria e Shëndetësisë e kanë stigmatizuar profesionin e mjekut ‘’, tha kryetari.

Sipas tij, sivjet 103  mjekë kanë emigruar në Gjermani, për shkak të kushteve jo të mira dhe mundësive të kufizuara për karrierë në Kosovë.

‘’Deri më sot kemi 103 kolegë tanë që kanë marrë dokumentacionin e nevojshëm për punësim në Gjermani në përgjithësi. Fatkeqësia është se shumica nga ta janë të pa punë, tash e dy tri vite kanë pritur për punë e shteti i Kosovës nuk u ka dhënë mundësinë dhe e dyta qëndron te kushtet e punës në Kosovë dhe shqetësimi i tyre është se nuk shohin të ardhme në Kosovë’’, përfundoi Sejdiu.

Gori: Rritja e pagave të infermierëve është e pamjaftueshme

Nexhmie Gori, kryetare e Sindikatës së Infermierëve të Kosovës, ka theksuar se rritja e pagave është një hap i nevojshëm për motivimin e infermierëve dhe për të siguruar shërbime më cilësore për pacientët, por thekson se problemi kryesor mbetet mungesa e një Ligji të veçantë për statusin e infermierëve.

‘’ Por, do të ishte shumë e mirëseardhur që çështja e statusit të infermierëve të zgjidhet me një Ligj të veçantë’’, tha Gori.

Gori ka theksuar se, pavarësisht rritjes së pagave, kushtet e punës për infermierët janë ende larg standardeve të nevojshme, duke përfshirë mungesën e infrastrukturës dhe pajisjeve të duhura që do të ndihmonin në përmirësimin e cilësisë së shërbimit.

‘’ Pagat, pavarësisht rritjes së proklamuar, nuk janë të mjaftueshme dhe shpaguese për ngarkesën e lartë në punë. Problem mbetet edhe mungesa e infrastrukturës dhe pajisjeve që do të ndihmonin në kualitetin e punës së tyre’’, potencoi Gori.

Një tjetër shqetësim i ngritur nga Gori ka qenë emigrimi i infermierëve nga Kosova. Ajo ka njoftuar se, deri më 20 nëntor të këtij viti, janë kërkuar 114 vërtetime për të kaluarën etike dhe 307 licenca të pa plastifikuara nga infermierët, kryesisht për t’u punësuar jashtë vendit. Gori ka thënë së këto dokumente kryesisht kërkohen nga infermierët që synojnë të punësohen jashtë vendit.

‘’ Sa i përket largimit të infermierëve nga Kosova, që është një problem në vete, deri më 20 nëntor të këtij viti janë kërkuar 114 vërtetime për të kaluarën etike dhe 307 licenca të pa plastifikuara. Këto dokumente kryesisht kërkohen nga infermierët që pretendojnë të gjejnë një punë në vendet tjera”, shprehet Gori për FrontOnline.

310 infermierë ikën nga Kosova gjatë mandatit të Qeverisë “Kurti 2”

Vërtetimet e Kodit Etik të lëshuara

Viti 2024 (Deri nëntor) 114 vërtetime

Viti 2023                          116 vërtetime

Viti 2022                          77 vërtetime

Viti 2021                         3 vërtetime

Viti 2020                        5 vërtetime

Viti 2019                       2 vërtetime

Bazuar në statistikat e sipërpërmendura, gjatë mandatit të Qeverisë “Kurti 2” nga Kosova janë larguar 310 infermierë.

Deputetja e VV-së: Pagat e mjekëve specialistë në Kosovë janë më të lartat në rajon, infermierët janë keq

Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje ,Labinotë Demi-Murtezi,  është prononcuar lidhur me rritjen e pagave në sektorin e shëndetësisë, ku sipas saj pakënaqësi kanë pasur kryesisht infermierët. ‘’ Sa i përket pagës pakënaqësitë më të mëdha kanë qenë tek infermierët , kuadri I mesëm , jo vetëm  kuadri i mesëm, sepse kemi shumë infermierë edhe me bachelor edhe me master dhe mendoj që kurdo që vjen koha të rishikojmë ligjin për paga duhet me pa në atë drejtim’’, tha Demi-Murtezi për FrontOnline.

Demi-Murtezi tha se është normale që të ketë mos pëlqyeshmëri të secilit mbi pagën e tyre, mirëpo theksoi se pagat janë në nivel të mirë e sidomos të specialistëve të cilat sipas Demi-Murtezit janë më të mirat në rajon.

‘’ Sigurisht secili ka të drejtë të ankohet të ankohet për pagën e tij jo të pëlqyeshme mirëpo janë në nivel shumë të mirë edhe krahas angazhimeve të tyre, sidomos të specialistëve , për momentin janë me pagat më të mira në këtë rajon nëse nuk jam gabim’’, tha deputetja.

Sipas saj, problemi më i madh mbetet tek kuadri i mesëm, sidomos infermierët, për të cilët ka mungesë të konsiderueshme në klinika. Sipas saj, paga e kujdestarëve, e cila është vetëm 22 euro për natë, është e papërshtatshme dhe nuk reflekton barrën e madhe të punës që ata bëjnë.

‘’Ndërkaq niveli i mesëm është problem më i madh, edhe si numër janë më i mangët në klinika, sepse ka ankesa për mungesë të infermierëve në klinika dhe e dyta edhe koeficienti mirëpo edhe paga e kujdestarisë që është 22euro për një natë’’, përfundoi Demi-Murtezi.

Zemaj i LDK-së: Rritja e pagave është tallje e madhe me mantelbardhët

Ish-ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, ka kritikuar vendimin e Qeverisë për rritjen e pagave, duke e cilësuar si një “improvizim” dhe një “tallje e madhe” me profesionistët e shëndetësisë.

‘’ Vendimi është improvizim, është një tallje e madhe me mantelbardhët, si i tillë nuk zgjidh asnjë problem’’, tha Zemaj për FrontOnline.

Sipas tij, ky vendim nuk mund të quhet rritje e pagave, pasi është një masë elektorale që nuk zgjidh asnjë problem. Ai ka theksuar se ky vendim është bërë për të shërbyer interesave të politikanëve dhe se nuk do të sjellë përmirësim për mjekët dhe profesionistët e tjerë shëndetësorë.

‘’ Në fakt vetëm rritje të pagave nuk mund ta quajmë, është një vendim elektoral që si shërben askujt, vetëm politikanëve që mashtrimin e kanë veprimin kryesor në politikë’’, tha Zemaj për FrontOnline.

Zemaj ka shtuar se është një vendim kalimtar që qeveria e re do të jetë e detyruar ta përmirësojë.

‘’ Ky është vendim kalimtar që qeveria e re do ta përmirësoj’’,  përfundoi Zemaj.

Haxhiu i PDK-së: Rritja e pagave është e pamjaftueshme

Anëtari i Komisionit Parlamentar për Shëndetësi, Bekim Haxhiu, ka kritikuar vendimin e qeverisë për rritjen e pagave në sektorin publik, duke e quajtur atë një masë të motivuar nga interesat elektorale.

Sipas Haxhiut, kjo rritje është e pamjaftueshme dhe nuk i përmbushë kërkesat e punonjësve shëndetësorë.

‘’ E para rritja e pagave ose planifikimi që Qeveria e bën në kohë fushate  ka  qëllim elektoral , e dyta është e pamjaftueshme në raport me kërkesat e punëtoreve shëndetësorë’’, tha Haxhiu për FrontOnline.

Ai theksoi se për dy vjet qeveria ka refuzuar kërkesat e infermierëve dhe profesionistëve të tjerë shëndetësorë, përfshirë edhe stafit mbështetës dhe administrativ, ndërsa pagat e tyre janë ulur në përputhje me ligjin e pagave.

‘’Qeveria për dy vite ka refuzuar kërkesat e infermierëve dhe profesionistëve shëndetësor, stafit mbështetës , teknik ,stafit administrativ të cilëve u është ulur paga me ligjin e pagave edhe kanë pasur kërkesa për ndryshim të koeficienteve ndërsa kërkesat e tyre janë refuzuar me arsyetimin se koeficientet nuk mund të ndryshohen’’ , tha deputeti Haxhiu.

Haxhiu shtoi se tani, për shkak të motiveve elektorale, qeveria ka ndryshuar koeficientin për të krijuar një efekt të menjëhershëm, mirëpo, sipas tij, kjo nuk ka pasur qëllim mirëqenien e kësaj kategorie

‘’Tani qeveria për interesa elektorale ka ndryshuar koeficientin për të bërë ndryshimin në mënyrë ligjore kështu që nuk konsideroj që kjo nuk është bërë për qëllime të mira mirëpo kjo është brë për të krijuar një efekt elektoral’’, përfundoi Haxhiu./FrontOnline/

Të ngjashme

111,400FansaPëlqeje
12,000NdjekësitNdjek

Të fundit