Iniciativa CorrWatch ka kritikuar Qeverinë Kurtio për emërimin e Drejtorit të Përgjithshëm të Drejtorisë të Përgjithshme të Akreditimit në MINT.
Përmes një reagimi, kjo iniciativë ka shprehur shqetësime lidhur me këtë emrin,
Sipas Iniciativa CorrWatch, emërimi i Drejtorit të Akreditimit përmes një procesi rekrutues të paligjshëm minon integritetin në administratën publike.
“CorrWatch ka reaguar publikisht edhe më 26 nëntor 2024 duke kërkuar rishqyrtimin e procesit. Kjo pasi që CorrWatch kishte evidentuar se MINT ka shkelur Ligjin për Zyrtarët Publikë, duke përfshirë në listën e ngushtë kandidatë që nuk i kanë plotësuar kriteret e përcaktuara në shpalljen e konkursit, veçanërisht kërkesat për përvojën e punës në pozita drejtuese. Në listën e ngushtë të rezultateve të verifikimit paraprak ishin përfshirë dy (2) kandidatë, por vetëm njëri prej tyre i kishte plotësuar kushtet ligjore. Përkundër kësaj, në vend se të anulohej procesi për shkak se kishte vetëm një kandidat i cili kishte plotësuar kriteret, dy kandidatët u shpallën fitues për të kaluar në fazën finale të emërimit”, është thënë në reagimin e kësaj iniciative, duke shtuar se Qeveria nuk ka marrë parasysh shqetësimet e tyre.
Pavarësisht shqetësimeve të ngritura dhe shkeljeve të identifikuara, Qeveria sot ka emëruar njërin nga kandidatët, duke legjitimuar një proces të parregullt dhe të paligjshëm. Ky emërim jo vetëm që legjitimon një procedurë të paligjshme, por gjithashtu shkel parimet e integritetit dhe meritokracisë në administratën publike. CorrWatch kërkon anulimin e menjëhershëm të këtij emërimi dhe një reflektim dhe përgjegjësi institucionale mbi shkeljet e evidentuara”, është thënë në reagim.