Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Eman Rrahmani, ka thënë se nëse përmbajtja e Kodit Civil është e njëjtë, atëherë edhe vota do të jetë e njëjtë.
Kjo përgjigje e Rrahmanit vije, pasi ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka thënë se ky projektligj do të procedohet në Kuvendin e Kosovës së shpejti, duke shtuar se beson se do të miratohet.
Deputeti Eman Rrahmani theksoi se nëse përmbajtja e projekt-kodit civil është e njëjtë, atëherë edhe vota do të jetë e njëjtë.
“Përmbajtja e njëjte, vota e njëjtë”, ka thënë shkurt Rrahmani.
Pas mbledhjes së Qeverisë, ministrja Haxhiu tha se kanë pasur takime me deputetët që e kanë kundërshtuar këtë kod dhe ka thënë se tash Kodi Civil do të miratohet.
“Besoj që shumë shpejt e procedojmë në Kuvendin e Kosovës dhe kësaj radhe do të kalojë në Kuvend, për faktin se është dokument i rëndësishëm. Gjatë kësaj kohe kemi pasur takime me grupin parlamentar, qeveria jonë dhe grupi parlamentar angazhohen për avancimin e të drejtave të njeriut. Duke e pasur parasysh rëndësinë e Kodit Civil, besojmë se do të miratohet në Kuvendin e Kosovës. Kjo bazohet në takimet që kemi pasur me grupin parlamentar. Nuk them që secili prej grupit do të votojë për, ka ende disa që kanë qëndrime dhe bindjet e tyre, por Qeveria dhe grupi parlamentar me shumicë angazhohet për avancimin e të drejtave të njeriut. Për hir të proceseve që kemi apliku, p.sh. aplikimi në Këshillin e Evropës, dhe për t’u bërë anëtar duhet të respektohen të drejtat e njeriut. Shpresoj ta kemi mbështetjen jo vetëm të grupit parlamentar, por edhe të opozitës”, tha Haxhiu.
Kujtojmë se, Kodi Civil kishte dështuar në Kuvend, pasi disa deputetë të grupit parlamentar të VV-së ishin kundër pikës që e mundëson bashkëjetesën e personave me gjini të njëjtë.