Dje janë bërë dy javë që kur në Kosovë u mbajtën zgjedhjet e përgjithshme, mirëpo akoma nuk ka rezultate përfundimtare, derisa numërimi i votave të rregullta ka mbaruar të premten.

Të panumëruara kanë mbetur votat e diasporës, me kusht dhe të personave me aftësi të kufizuara. Numërimi i tyre pritet të fillojë të mërkurën.

Kështu tha për Express anëtari i PDK’së në KQZ, Arianit Elshani.

“Sot nuk nisë, besoj që të mërkurën fillon”, tha ai.

Ai tha se kjo është duke u bërë sipas afateve të parashikuara nga KQZ.

“Është duke u pritur skanimi, nëse e shikoni planin e aktiviteteve të miratuar nga KQZ është sipas afateve”, tha ai.

Nga KQZ kanë thënë se numërimi i votave me kusht, të mërgatës dhe të personave me aftësi të kufizuara do të bëhet gjatë kësaj jave, mirëpo nuk kanë dhënë ndonjë datë të saktë.

Zëdhënësi i KQZ’së, Valmir Elezi, ka thënë se para të nisë numërimi i votave me kusht duhet të përfundojë skanimi i listës së votuesve të vendvotimeve të rregullta, për t’u siguruar se askush nuk ka votuar dy herë.

Sa u përket votave me postë, nga 9 shkurti deri më 22 shkurt janë verifikuar 60 mijë e 997 pako, prej tyre janë refuzuar 4 mijë e 50 sosh. Këtij procesi do t’i nënshtrohen edhe 7,718 pako me fletëvotime.

Në përfaqësi diplomatike kanë votuar 15,352 votues, ndërkaq në votimin përmes postës KQZ ka pranuar rreth 69 mijë pako me fletëvotime.

Vota me kusht janë 12 mijë e 801, ndërsa numri i personave me nevoja të veçanta është 2,597.