Startupi i inteligjencës artificiale të Elon Musk, xAI, lançoi modelin e parë AI ndërsa miliarderi i teknologjisë po kërkon të rivalizojë OpenAI, Google dhe Meta me një robot bashkëbisedues i cili është i integruar thellësisht me X, ish-rrjetin social Twitter.
Grok, sistemi i ri AI, ka qasje në kohë reale në informacione nga X, platforma e medias sociale të Musk e bleu për 44 miliardë dollarë një vit më parë dhe sipas tij i jep robotit një avantazh të madh kundrejt modeleve të tjera të cilat mbështeten mbi arkiva të vjetra të dhënash në internet.
Musk tha se robotit bashkëbisedues si pëlqen sarkazma dhe humori i lehtë, një përpjekje për ti dhënë Grok më tepër personalitet në mënyrë që të diferencohet nga një treg që po mbipopullohet.
“Mund tju përgjigjet edhe pyetjeve “me spec” të cilat refuzohen nga sistemet e tjera AI,” tha xAI ndërsa prezantoi një version testues të Grok.
Përdoruesit e X mund të aplikojnë për të provuar Grok, që do të jetë i disponueshëm për abonentët e shërbimit me pagesë “Premium+” me një kosto prej 16 dollarësh. Debutimi zyrtar do të vijë vetëm pas një periudhe të paspecifikuar testimi.
Lançimi vjen në një kohë kur Musk po përpiqet të shtojë angazhimin dhe shitjet në X, rrjet social i cili që nga blerja në 2022 ka humbur të ardhura dhe reklamues.
Në Shtator rrjeti social rival Meta njoftoi se do të lançonte afro 30 robotë AI në Instagram, Facebook dhe WhatsApp përfshirë një asistent AI i cili mund tu përgjigjet pyetjeve të përdoruesve.
Edhe pse është krijuar në vetëm 1 muaj, Musk pretendon se aftësitë e Grok rivalizojnë modelet më të fundit të Meta siç është LLaMA 2 lançuar në Korrik.
xAI tha se Grok ka aftësinë për tju përgjigjur pyetjeve matematikore dhe të arsyetojë njëlloj si modeli GPT-3.5 i OpenAI që fuqizonte versionin e parë të ChatGPT. Sipas kompanisë Grok mund të tejkalohet vetëm nga modele të trajnuar me sasi më të mëdha të dhënash dhe që kanë fuqi kompjuterike të lartë në dispozicion si GPT-4.
Sidoqoftë, xAI pranoi se është pas OpenAI, i cili në Mars publikoi modelin e tij më të fundit GPT-4. /PCWorld Albanian/