13.7 C
New York
Thursday, May 29, 2025

Buy now

Elita kaçamaqesh

- Advertisement -

Shkruan: Agron Hoti

Pushtimet e vazhdueshme na kanë lënë që të punojmë vetëm për mbijetesë e asesi për jetesë. Në beteja mbijetese është shumë e vështirë, nëse e pamundshme, të ndërtosh elita intelektuale dhe shtresa të mesme si baza e një shoqërie. Lufta për mbijetesë nuk zgjedh mjete. Shkalla e analfabetizmit te shqiptarët pas Luftës së Dytë Botërore (L2B) ishte më e larta në Evropë. Përderisa shteti shqiptar menjëherë pas L2B pati filluar shkollimin e shoqërisë, shqiptarët në ish-Jugosllavi në fillim qe dashur të mësonin serbisht e turqisht, ndërsa më vonë mezi shqip.
Edhe pse shqiptarët për nga numri i popullsisë zinin vendin e tretë në ish-Jugosllavi, pra pas serbëve dhe kroatëve, ata kishin vetëm një universitet, atë të Prishtinës, i cili mezi u hap në vitin 1970 edhe atë pas një sakrifice dhune e terrori të paparë që mbillte Serbia me aparatin e saj. Ishin vitet e 80-ta ato kur shqiptarët në ish-Jugosllavi patën filluar t’i kishin kuadrot e veta më në numër për fusha të ndryshme.
Jo rastësisht në atë kohë, pra në vite të 80-ta, të qenit mësues e ndryshonte edhe statusin në shoqëri, ku edhe fejesa e vajzës me një mësues konsiderohej goxha privilegj për familjen e vajzës. “E kemi dhëndrrin shkollavan” – thuhej në ato kohëra për dikë që përfundonte shkollën e lartë të kohës ose fakultetin. Rrallë ndodhte që edhe nusja të ishte “shkollavane”, për shkak të niveleve tejet të ulëta të shkollimit të femrës.

Prandaj, për shkak gjendjes së mjerueshme socioekonomike shqiptarët nuk kanë mundur të ndërtojnë elita të mirëfillta intelektuale, ta zëmë si kroatët apo sllovenët, ku prindërit, gjyshërit e ndoshta edhe stërgjyshërit i kishin me shkollim të lartë.
Ndërkohë, cilido shqiptar (ose shumica e tyre) me fakultet i kohës së ish-Jugosllavisë i kishte analfabetë prindërit, gjyshërit, stërgjyshërit, e kështu me radhë. Koncepti i elitave intelektuale në perëndim është i atyre që p.sh. nga i biri, i ati e deri te gjyshi janë rritur intelektualisht në një institut. Pra, një vijë e tërë familjare e brumosur në një institut, akademi apo diç e ngjashme.

Kurse shqiptari – i shkolluar me njëmijë e njëqind vështirësira – mezi ia kishte dalë të futej në ndonjë institut, akademi apo diç të ngjashme, gjersa prindërit e tij, apo gjyshërit, stërgjyshërit e gjenerata të tëra i kanë pasur rrënjët në kaçamak e fukarallëk. Prandaj, elitat tona intelektuale, krahasuar me to perëndimore, ende i kanë rrënjët në kaçamak.
Nuk mundesh të krijosh elita intelektuale, kur e ke barkun thatë. Mjafton ta pyesësh secilin nga ajo që ne e konsiderojmë elitë të të thotë t’i ketë patur prindërit në rastin më të mirë me shkollim minimal e në atë më të keq analfabetë. E mos të flasim për gjyshërit e tyre, stërgjyshërit e kështu me radhë, ku që të gjithë ishin analfabetë.

Ndaj, nuk duhet të befasohemi pse kemi kësi politikanë të papërgjegjshëm apo kësi mjedisi shoqëror tallava. Sepse siç është populli, ashtu janë edhe politikanët. Do të duhen vite e dekada të tëra derisa të krijojmë elita të vërteta intelektuale. Edhe nëse ke kryer fakultet, ke magjistruar e doktoruar, nuk mund të konsiderohesh intelektual, kur tërë ditën rri në kafe dhe merresh me thashetheme dhe s’jep asnjë vizion për zhvillimin e shoqërisë dhe vendit. Dhe përderisa do të jemi kështu, do të kemi edhe elita kaçamaku apo kaçamaqesh, mjerisht. A.H.

Të ngjashme

Të fundit