20.8 C
New York
Monday, August 4, 2025

Buy now

Elhaida Dani përzgjidhet edhe këtë vit si drejtoreshë artistike e Festvalit të Këngës në RTSh

- Advertisement -

Këngëtarja e njohur shqiptare, Elhaida Dani, rikthehet këtë vit në skenën e Festivalit të Këngës në RTSH, por jo si konkurrente – këtë herë ajo mban një rol krejtësisht të ri dhe shumë të rëndësishëm: atë të drejtoreshës artistike të edicionit të 63-të të festivalit.

Lajmi u bë i ditur nga Drejtori i Përgjithshëm i RTSH-së, Alfred Peza, i cili u shpreh se prania e Elhaidës në këtë rol përfaqëson një vlerë të shtuar për festivalin më të rëndësishëm të muzikës shqiptare. “Ardhja e Elhaidës është një lajm i shkëlqyer për mua, stafin dhe të gjithë publikun… Ajo do të jetë një vlerë e shtuar për festivalin,” tha Peza, duke shtuar se Elhaida do të bashkëpunojë ngushtë me Bojken Lakon – drejtorin artistik të edicionit të kaluar, i cilësuar ndër më të mirët në historinë e RTSH-së.

Për vetë Elhaidën, ky është një angazhim emocional dhe profesional: “Unë kam lindur dhe jam rritur në Festivalin e RTSH-së. E di rëndësinë që ka ky festival për artistët shqiptarë dhe do të jap më të mirën time jo vetëm për këtë edicion, por edhe për ato në vijim”, u shpreh ajo. Elhaida tha se synimi kryesor është ndërtimi i një ekipi profesional dhe i përkushtuar për të sjellë një edicion dinjitoz dhe përfaqësues për muzikën shqiptare.

Foto: Elhaida Dani/Instagram

Elhaida Dani është një nga zërat më të fuqishëm dhe të suksesshëm që ka prodhuar muzika shqiptare. Me një karrierë të spikatur që nga fitorja e saj në talent-show-n Star Akademi në vitin 2009, ajo ka lënë gjurmë në skenën shqiptare dhe atë ndërkombëtare. Në vitin 2014, fitoi Festivalin e RTSH-së dhe përfaqësoi Shqipërinë në Eurovision Song Contest 2015 me këngën “I’m Alive”.

Suksesi i saj kulmoi me fitoren e spektaklit “The Voice of Italy” në vitin 2013, ku u dallua mes mijëra pjesëmarrësve dhe fitoi zemrat e publikut italian. Pas kësaj, Elhaida mori rolin e Esmeraldës në muzikalin legjendar Notre Dame de Paris, duke performuar në skena të mëdha ndërkombëtare dhe duke përforcuar më tej pozicionin e saj si artiste me përmasa evropiane.

Foto: Elhaida Dani/Instagram

Përveç karrierës së saj si interpretuese dhe këngëtare, roli i ri si drejtoreshë artistike i jep Elhaidës mundësinë të ndikojë në mënyrë aktive në zhvillimin dhe promovimin e talenteve të reja shqiptare. Me këtë hap, ajo dëshmon jo vetëm përkushtim ndaj artit, por edhe vizion për të ardhmen e muzikës shqiptare në skenën evropiane. /Telegrafi/

Të ngjashme

Të fundit