Këngëtarja e njohur shqiptare, Elhaida Dani, rikthehet këtë vit në skenën e Festivalit të Këngës në RTSH, por jo si konkurrente – këtë herë ajo mban një rol krejtësisht të ri dhe shumë të rëndësishëm: atë të drejtoreshës artistike të edicionit të 63-të të festivalit.
Lajmi u bë i ditur nga Drejtori i Përgjithshëm i RTSH-së, Alfred Peza, i cili u shpreh se prania e Elhaidës në këtë rol përfaqëson një vlerë të shtuar për festivalin më të rëndësishëm të muzikës shqiptare. “Ardhja e Elhaidës është një lajm i shkëlqyer për mua, stafin dhe të gjithë publikun… Ajo do të jetë një vlerë e shtuar për festivalin,” tha Peza, duke shtuar se Elhaida do të bashkëpunojë ngushtë me Bojken Lakon – drejtorin artistik të edicionit të kaluar, i cilësuar ndër më të mirët në historinë e RTSH-së.
Për vetë Elhaidën, ky është një angazhim emocional dhe profesional: “Unë kam lindur dhe jam rritur në Festivalin e RTSH-së. E di rëndësinë që ka ky festival për artistët shqiptarë dhe do të jap më të mirën time jo vetëm për këtë edicion, por edhe për ato në vijim”, u shpreh ajo. Elhaida tha se synimi kryesor është ndërtimi i një ekipi profesional dhe i përkushtuar për të sjellë një edicion dinjitoz dhe përfaqësues për muzikën shqiptare.

Elhaida Dani është një nga zërat më të fuqishëm dhe të suksesshëm që ka prodhuar muzika shqiptare. Me një karrierë të spikatur që nga fitorja e saj në talent-show-n Star Akademi në vitin 2009, ajo ka lënë gjurmë në skenën shqiptare dhe atë ndërkombëtare. Në vitin 2014, fitoi Festivalin e RTSH-së dhe përfaqësoi Shqipërinë në Eurovision Song Contest 2015 me këngën “I’m Alive”.
Suksesi i saj kulmoi me fitoren e spektaklit “The Voice of Italy” në vitin 2013, ku u dallua mes mijëra pjesëmarrësve dhe fitoi zemrat e publikut italian. Pas kësaj, Elhaida mori rolin e Esmeraldës në muzikalin legjendar Notre Dame de Paris, duke performuar në skena të mëdha ndërkombëtare dhe duke përforcuar më tej pozicionin e saj si artiste me përmasa evropiane.

Përveç karrierës së saj si interpretuese dhe këngëtare, roli i ri si drejtoreshë artistike i jep Elhaidës mundësinë të ndikojë në mënyrë aktive në zhvillimin dhe promovimin e talenteve të reja shqiptare. Me këtë hap, ajo dëshmon jo vetëm përkushtim ndaj artit, por edhe vizion për të ardhmen e muzikës shqiptare në skenën evropiane. /Telegrafi/