18.2 C
New York
Friday, September 12, 2025

Buy now

Elhaida Dani: Ky do të jetë festivali i festivaleve! Surpriza me Armend Rexhepagiq!

- Advertisement -

Intervista nga Manjola Markola/Photoshooting: Fadil Berisha
Kujtimet e mia me Elhaidën si artiste janë plotësuar si një “puzzle” përgjatë gjithë këtyre viteve. Nga shpërthimi në “Star Academy”, në ëndrrat që krijoja me këngën “S’je më”, në emocionet e Eurovizionit, rrahjet e zemrës teksa e shihja në “The voice of Italy” e deri te krijimi i një dimensioni të ri në “Dancing With the Stars”. Elhaida ka ecur në rrugë përgjatë të cilave ka krijuar magjinë e saj në muzikë. Teksa këtë vit drejton për herë të dytë Festivalin e Këngës, në paketën e saj të surprizave ka bashkëpunimin me Aida Barakun dhe Armend Rexhepagiqin, por jo vetëm kaq. Në “WHO” vjen me një rrëfim ndryshe, me disa sekrets na i zbulon, disa i mban për vete, e disa të tjerë do të zbulohen në fundvit.

Elhaida cili është projekti më i rëndësishëm që po merresh në sferën personale  dhe profesionale në këtë periudhë ?

Në këtë periudhë jam e fokusuar në tri drejtime shumë të rëndësishme. Së pari, Festivali i Këngës në RTSH, i cili është për mua jo vetëm një mision profesional, por edhe personal. Me të jam rritur, ashtu si shumë shqiptarë të tjerë, ndaj e ndiej si një përgjegjësi të madhe ta çoj përpara dhe ta bëj sa më dinjitoz. Paralelisht, jam duke përgatitur EP-në time me Aida Barakun dhe Armend Rexhepagiqin, një projekt që e kam mbajtur “të fshehur” për më shumë se një vit, sepse është kaq pranë shpirtit tim, por tashmë ka ardhur koha që publiku ta dëgjojë. Dhe e treta, vij gjithmonë në skenë me “Notre Dame de Paris”, ku aktualisht ndodhem në Kore për të festuar 20-vjetorin e këtij musical-i si Esmeralda.

Teksa ende mbajmë shijen e mirë të Festivalit të 63-të të Këngës, ku ishe në rolin e drejtoresës artistike, edicioni i 64-t erdhi shumë shpejt. Sërish në drejtim të tij, çfarë duhet të presim nga ky vit?

Është e vërtetë që koha fluturoi dhe edicioni i 64-t erdhi shumë shpejt. Këtë vit publiku duhet të presë një festival më të guximshëm, më modern dhe plot surpriza që do ta bëjnë të paharrueshëm. Për mua është thelbësore të mbaj gjallë shpirtin e festivalit si një ngjarje kombëtare që i përket çdo shqiptari. Sigurisht, do të kemi një skenë të jashtëzakonshme, një orkestër që i jep jetë çdo kënge, por mbi të gjitha dua këngë të mira. Kam punuar shumë këtë vit për të sjellë artistë të denjë dhe për t’i rikthyer besimin festivalit. Fituesi duhet të jetë i vërtetë për publikun dhe jurinë, dhe kur kjo ndodh, këngëtarët hyjnë në garë duke besuar me gjithë zemër te kënga dhe talenti i tyre. Dhe pikërisht kjo lloj gare e vërtetë është ajo që e bën një festival të madh.

Vitin që shkoi festivali yt ishte një triumf. Mendon që një festival të suksesshëm e bën kur finalja nxjerr një grup këngësh HIT apo kur kënga përfaqësuese na nderon dhe renditet në vendet e para në “Eurovizion”?

Unë besoj se një festival është i suksesshëm kur i sjell të dyja: këngë hit që mbeten gjatë në publik dhe një përfaqësim dinjitoz në “Eurovision”. Si drejtoreshë, vizioni im është pikërisht ky: të krijojmë një festival ku publiku gjen këngë që i do dhe ku Shqipëria shihet me respekt në skenën ndërkombëtare.

Me cilin kriter zgjidhen të ftuarit prej teje dhe stafit tënd? A e mendon dot festivalin pa të ftuar të famshëm?

Të ftuarit nuk janë vetëm emra të mëdhenj, por edhe një urë që na lidh me traditën, me Evropën e ndonjëherë edhe me botën, në varësi të madhësisë së yllit që sjellim. Sigurisht kemi gjithmonë një buxhet për të respektuar, ndaj kërkojmë kompromisin e duhur mes artistëve evropianë, emrave nga Eurovision-i apo artistëve italianë e francezë. Shembulli i vitit të kaluar me Slimane ishte i jashtëzakonshëm, ai frymëzoi pjesëmarrësit, emocionoi publikun shqiptar dhe dueti ynë mbetet një kujtim i paharrueshëm. Megjithatë, unë e shoh po aq bukur edhe një festival vetëm me yjet tanë shqiptarë. Ende nuk kemi vendosur kush do të jetë “showstopper” i këtij viti, por mos u surprizoni nëse vendosim ta mbajmë tërësisht shqiptar, sepse edhe tema e festivalit është shqip.

Flitet se stafin rreth vetes e zgjedh ti. A i beson CV-së apo nisesh edhe nga energjia që secili prej tyre përcjell? Emocion apo “just bussines”?

Që prej vitit të kaluar, e kam bërë shumë të qartë që dua një ekip rreth vetes që e do festivalin po aq sa unë. Dhe rezultatet u panë. Sigurisht, profesionalizmi është i rëndësishëm, por mbi një CV, për mua vlen dashuria për muzikën, televizionin dhe gatishmëria për të bashkëpunuar. Vjet pata fatin të punoj me një ekip që jo vetëm punoi fort, por në fund e mbyllëm festivalin krenarë dhe pa asnjë problem të panevojshëm. Sekreti, besoj, është ky: t’i lejosh njerëzit të bëjnë punën e tyre, sepse janë aty pikërisht për atë arsye. Dhe kur bashkëpunimi është i shëndetshëm, gjithçka bëhet më e lehtë – për ne, për RTSH-në, për konkurrentët dhe mbi të gjitha për publikun. Këtë vit duam të jetë njësoj – me të njëjtën frymë, të njëjtën dashuri dhe pse jo, edhe më mirë.

Si ishte të riktheheshe në skenën ku para një dekade more çmimin e parë? Cilat emocione mbizotëruan, u ndieve nxënësja apo mësuesja?

Sigurisht, gjëja e parë që më erdhi në mendje ishte frika: a do ta bëj mirë, a do jem e mjaftueshme, a do më besojë ekipi im që ka më shumë përvojë se unë? Ishte shumë dyshim, por pikërisht dyshimi më bëri të jap më të mirën. Megjithatë, në momentin që dola në skenë, gjithçka u zhduk. Nuk isha më drejtoresha apo këngëtarja, isha vajza e vogël që dikur këndonte aty. Të dyja imazhet u bashkuan dhe emocioni ishte më i fortë se kurrë, madje edhe më shumë se kur fitova në moshën 22-vjeçare.

A do të kishe emocion për të mos thëne frikë, të konkuroje edhe një herë ?

Shumë këngëtarë, sidomos fitues, nuk duan të rikthehen më në festival. Por unë jam ndoshta nga të paktët që do e bëja me gjithë dëshirë. Sepse besoj që në “Eurovision” nuk arrita të jap 100% tim, për arsye dhe emocione që lidhen me shumë faktorë të tjerë. Sidomos tani, pas përvojës nga prapaskena si drejtoreshë artistike, e ndjej edhe më shumë që një ditë do doja të rikthehesha si konkurrente. Por, natyrisht vetëm në kushte ku i besoj plotësisht drejtorit artistik dhe me rregullat e reja që tashmë kemi vendosur, të cilat mendoj dhe besoj se duhet të mbeten përgjithmonë.

Jemi herët për të krijuar le të themi “skenare” në fantazinë tonë, por nisur nga ajo që pamë në vitin e shkuar, a ke krijuar një lloj pritshmërie se si do të jetë ky vit?

Unë jam nga ata njerëz që e inkurajoj fantazinë të shkojë sa më larg. I ftoj të gjithë ta bëjnë këtë, sepse është pjesë e bukurisë së festivalit. Pastaj, kur të shihni skenën dhe shfaqjen tonë, do të shohim bashkë nëse kemi arritur t’u përgjigjemi atyre pritshmërive. Dhe sinqerisht, jam shumë kurioze të di edhe çfarë ka imagjinuar publiku.

Si do të doje të ishte kënga fituese? Rryma? Këngëtar mashkull-femër? Duet? A e ke vizatuar në kokë këngën HIT të Festivalit të Këngës 2025 në RTSH?

Nuk ka rëndësi nëse është mashkull, femër apo duet, baladë apo ritmike. Ajo që dua është një këngë e fortë dhe e sinqertë, që prek publikun që në dëgjimin e parë dhe që mund të përfaqësojë Shqipërinë me dinjitet.

Nëse kthehemi në retrospektivë dhe nisim të numërojmë triumfet e tua, me siguri mund të harrojmë diçka: “Star Academy”, “Top Fest”, “The Voice of Italy”, “Festivali i Këngës”, më pas një megasurprizë në “Dancing with dhe Stars”, çfarë përfaqësojnë për ty të gjitha këto?

Secila prej këtyre është një kapitull që më ka formuar. “Star Academy” ishte hapi i parë, “Top Fest” më dha identitet në Shqipëri, “The Voice of Italy” më hapi dyert e Evropës, Festivali i Këngës më lidhi përjetësisht me publikun shqiptar, dhe “Dancing with the Stars” ishte një surprizë që më tregoi se mund të sfidoj veten edhe jashtë muzikës. Të gjitha bashkë janë një rrugëtim që më ka bërë njeriun dhe artisten që jam sot.

Nëse do riktheheshe në njërën prej tyre, cilën garë do të zgjidhje?

Nuk më pëlqen të kthehem pas, sepse besoj se çdo garë apo eksperiencë ka ndodhur për një arsye. Por ndoshta do të rikthehesha te Festivali i Këngës, në një formë tjetër, ndoshta një duet, ndoshta një performancë ndryshe. Kam diçka në mendje, por nuk dua ta zbuloj ende.

Përveç Festivalit të Këngës, do të sjellësh shumë shpejt për publikun dhe një EP( minialbum) në bashkëpunim me Aida Barakun dhe Armend Rexhepagiqin. Si, kur, çfarë do dëgjojmë? Duam detaje.

Ky projekt është shumë i dashur për mua. Prej një viti e kam mbajtur pranë vetes sepse më dukej i brishtë, por erdhi momenti ta ndaj me publikun. EP-ja përmban pesë këngë që i kam regjistruar me Darko Dimitrovin, një prej producentëve të mi të preferuar në Ballkan. Jam me fat që punova me Aida Barakun dhe Armend Rexhepagiqin, dy emra që gjithmonë kam ëndërruar të më shkruanin. Muzika e tyre është unike dhe ky bashkëpunim është një nga ëndrrat e mia të realizuara.

Si është të bashkëpunosh me dy artistë si ata të dy?

Është vërtet një privilegj. Aida dhe Armendi nuk janë vetëm artistë të mëdhenj, por njerëz që e duan muzikën në thelbin e saj. Armendi e ka shumë të qartë: kur shkon tek ai për një këngë, i beson plotësisht procesit të tij, sepse ai ka shkruar disa nga hitet më të mëdha të Shqipërisë dhe Kosovës. Dhe unë pikërisht këtë doja, të merrja atë që ata dinë të bëjnë më mirë. Çdo fjalë, çdo melodi ka një peshë të madhe. Pas një dite regjistrimesh me ta, më dukej sikur kisha dalë nga një shkollë arti, e mbushur me dije dhe frymëzim.

Kur punojnë bashkë artistë të këtyre niveleve, kush e thotë fjalën e fundit për miratimin e një kënge?

Fjala e fundit i takon gjithmonë këngës vetë. Unë shkova tek Aida dhe Armendi sepse u besoj plotësisht, dhe kur muzika është e plotë, vendimi është i qartë për të gjithë.

A e ke ftuar Armendin të konkurrojë në Festivalin e Këngës këtë vit? Apo janë sekrete?

Vitin e kaluar e ftuam, por nuk u bë e mundur sepse ishte gjithmonë shumë i angazhuar. Këtë vit shpresoj të kem më shumë fat dhe të jem më bindëse (qesh). Do ishte kënaqësi e madhe ta shihja Armendin pjesë të festivalit, në çfarëdo forme.

A do ketë bashkëpunime me artistë të tjerë, apo është një Elhaida-EP?

Ky EP është shumë personal, por nuk është vetëm i imi. Nga pesë këngët, tre janë bashkëpunime me artistë që i admiroj shumë. I pari është MC Kresha, një nga emrat më të mëdhenj të rap-it në Shqipëri dhe Kosovë. Pastaj është Olsi Bylyku, një mik dhe artist i madh që sjell gjithmonë energji dhe origjinalitet. Dhe së fundmi, është Don Phenom nga Shkodra ime, me të cilin bashkëpunoj për herë të parë, por që zëri i tij ka qenë gjithmonë një prej të preferuarve të mi. Jam shumë e lumtur dhe e emocionuar për këto bashkëpunime.

Jo rrallëherë ëndrrat dhe qëllimet nisin të ecin në të njëjtën rrugë, ndaj dhe pyetja ime i lidh të dyja: A ka Elhaida një bashkëpunim ëndrrash? Një artist me të cilin apo të cilën do doje që kishe një këngë?

Për mua më shumë se bashkëpunimi i ëndrrave është kënga e ëndrrave. Ende nuk kam gjetur atë “këngën perfekte” në karrierën time, dhe ky mbetet vizioni im më i madh. Sigurisht, do të ishte kënaqësi e madhe të ndaja skenën me artistë që i adhuroj, si Giorgia në Itali, por mbi të gjitha ëndrra ime është të kem një këngë që e ndiej se është krejtësisht e imja dhe e përkryer.

Nuk mund të lëmë pa përmendur turnetë e tu me musical-in “Notre Dame de Paris”. Përgjatë disa viteve Elhaida dhe Esmeralda kanë qenë një. Si ka qenë kjo përvojë për ty?

Kjo përvojë ka qenë përtej fjalëve. Më ka rritur si artiste dhe si njeri, dhe më ka dhënë mundësinë të prek e të njoh audienca në mbarë botën. Sinqerisht, ka qenë përvoja më jetë-ndryshuese e karrierës sime. Por ajo që më bën më krenare është fakti se në vitin 2023 e solla vetë këtë “musical” në Shqipëri, si producente, dhe performova para 14,000 njerëzve që e jetuan çdo moment. Jam e lumtur që jam shqiptarja e parë që solli një “musical” “Guinness” në vendin tim. Për këtë falënderoj Zotin dhe familjen time që gjithmonë kanë besuar tek unë.

Cili është vendi që do veçoje si të preferuarin tënd, në këto që ke realizuar tour-in? Atë në të cilin publiku bëhet njësh me ty?

Është shumë e vështirë të zgjedh vetëm një, sepse kam kënduar në skena të jashtëzakonshme si Kremlini në Rusi, Broadway në New York, Congress Palace në Paris, Arena di Verona në Itali, Sejong Theater në Kore dhe kam bërë turne të gjata në Kinë dhe në vende të tjera. Pavarësisht kulturave kaq të ndryshme, dashuria dhe kujdesi që publiku i jep këtij musical-i dhe ne artistëve është e pabesueshme. Por, meqë kjo është një intervistë për Shqipërinë, duhet të them se emocionet që kam përjetuar duke performuar në vendin tim janë të pakrahasueshme.

Festivali a i rekomandohet drejtorëve të dashuruar apo është një sakrificë e madhe në planin personal?

Festivali është një sakrificë e madhe për këdo që e drejton, sepse të merr të gjithë kohën dhe energjinë. Nuk është e lehtë ta kombinosh me jetën personale, por kur ke pranë njerëz që të mbështesin, gjithçka bëhet më e menaxhueshme. Është një rrugëtim i lodhshëm, por edhe një nga përvojat më të bukura që mund të përjetosh.

Të qenët në vëmendjen e publikut, të medieve, qoftë edhe kur poston një foto në Instagramin tënd, a është një lloj trysnie për marrëdhënien, apo ka kaluar si etapë dhe nuk iu bën më përshtypje?

Në fillim ndoshta ishte pak e vështirë, sepse çdo gjë shihej, komentohej dhe analizohej. Por sot e kam kaluar atë etapë. E di që vëmendja është pjesë e profesionit tim dhe nuk më ndikon më në jetën personale. Sekreti është të ruash ekuilibrin dhe të mos e lejosh zhurmën e jashtme të prishë atë që është e shtrenjtë për ty.

 Çfarë e bën Elhaidën të lumtur?

Lumturia ime e vërtetë është të kem jetën e organizuar dhe të di që familja ime është mirë, e lumtur dhe me shëndet. Kur kjo pjesa më e rëndësishme e jetës është në vend, atëherë unë ndihem e lirë të ec përpara dhe të pushtoj botën me çdo gjë që vendos në mendje.

Lidhur me shpirtin tënd artistik, nëse do riktheheshe në një epokë tjetër, cilën do zgjidhje për të jetuar, e theksojmë, artistikisht?

Artistikisht, do të doja të rikthehesha në vitet ’80, kur muzika e Whitney Houston, Aretha Franklin, Diana Ross, Prince, Etta James dhe shumë të tjerë sundonte në mbarë botën. Ishte koha kur zërat e mëdhenj të soul-it dhe R&B-së nuk ishin thjesht këngëtarë, por u bënë ikona globale që frymëzuan breza të tërë. Unë jam thellësisht e frymëzuar nga arti i tyre, sepse muzika e tyre ishte e pastër, e fuqishme dhe me një shpirt që prekte zemrat kudo. Nëse do të kisha jetuar atë kohë, do të kisha dashur të isha pjesë e asaj skene.

Pasi fitove çdo garë në Shqipëri stacioni i ardhshëm i fitoreve u bë Italia. Pas Festivalit të Këngës në RTSH do doje të ishe drejtore artistike e Sanremos? Ta manifestojmë këtë dëshirë? E bën dot ?

Së pari, ëndrra ime më e madhe është ende të prek skenën e Sanremos si konkurrente dhe të performoj aty për herë të parë. Vetëm pas kësaj do të mendoja për një rol si drejtoreshë artistike. Dhe pse jo? Unë kam bërë gjëra që nuk e dija se mund t’i bëja që fëmijë, ndaj ndoshta mund ta bëj edhe këtë. Hajde ta manifestojmë bashkë!

Të ngjashme

Të fundit