Zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valmir Elezi, ka bërë të ditur se është duke vijuar me rregull procesi zgjedhor i ditës së sotme.
Ai deklaroi se dalja në zgjedhje deri në ora 15:00, në qendrat e votimit kanë votuar 28.32% apo 558 mijë e 246 votues. Kjo është një përqindje më e ulët në krahasim me zgjedhjet e parakohshme të vitit 2021.
“Deri në të njëjtën kohë, në zgjedhjet e parakohshme të vitit 2021, kishin votuar 32.32% apo 567 mijë e 934 votues”, u shpreh ai.
Elezi përmendi edhe procesin zgjedhor të ditës së djeshme që u zhvillua në Ambasada dhe Konsullata të Kosovës në botë. Zëdhënësi i KQZ-së deklaroi se nga 20,324 votues, votuan 15,352 bashkatdhetarë.
Ndërkohë, me votimin përmes postës e aplikuan një përqindje e madhe e mërgatës, duke dërguar 50 mijë e 226 pako me vota.
“Siç e kemi përmendur disa herë gjatë procesit të regjistrimit të votuesve nga 104 mijë e 924 votues, 84 mijë e 600 kanë përzgjedhur mënyrën e votimit përmes postës dhe 20 mijë e 324 kanë qenë të regjistruar për të votuar fizikisht në përfaqësitë diplomatike. Lidhur me votimin në përfaqësitë diplomatike që u përmbyll gjatë ditës së djeshme ju njoftojmë se nga 20 mijë e 324 votues që ishin regjistruar për këtë mënyrë votimi në 30 përfaqësitë e Republikës së Kosovës kanë votuar 15 mijë e 352 votues apo 75.54%”, ka thënë Elezi.
Elezi po ashtu foli dhe për ecurinë e votimin dhe vendosja e shenjës në gisht, që sipas tij, nuk është e vetmja gjë për verifikimin pasi që qytetari që voton duhet te nënshkruaj në emrin e tij pjesëmarrjen.
“Gjatë ditës së sotme kemi pranuar informacione qoftë përmes mediave që ngjyra po fshihet pas një kohë. Ecuria do të jenë pjesë e analizës së KQZ dhe sfidat që jemi ballafaquar. Shenja që vendoset nuk është e vet ja masë që përdoret gjatë procesit të votimit. Përmes dokumenteve të nënshkruani në hapësirën në emrin e tyre duke konfirmuar pjesëmarrjen e tij që do të thotë ia pamundëson votimin për herë të dytë. Po ashtu edhe vendosja e kamerave është njëra masë e sigurisë dhe çdo gabim verifikohet lehtësisht”, shtoi ai.