Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, ka bërë me dije se në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve (QNR) është duke vazhduar procesi i numërimit të fletëvotimeve.
Në një intervistë për Ekonomia Online ai ka treguar se numri i komunave që kanë përmbyllur plotësisht rinumërimin është 19 dhe kanë mbetur edhe gjysma tjetër.
“Nga fillimi i këtij procesi më 13 janar dhe deri më tani janë rinumëruar rreth 49% apo 1,240 nga 2,557 vendvotime. Pra, procesi është përmbyllur plotësisht në 19 komuna dhe kanë mbetur që të rinumërohen rreth 1,300 vendvotime të tjera, që i takojnë 19 komunave tjera”, ka thënë ai.
Elezi ka vlerësuar se KQZ është duke u përpjekur maksimalisht që të përmbyllë në një kohë sa më të shpejtë të përmbyllë procesin e rinumërimit dhe të shpall rezultatet përfundimtare.
“Komisioni Qendror i Zgjedhjeve është duke u përpjekur maksimalisht që të përmbyllë në një kohë sa më të shpejtë rinumërimin e të gjitha vendvotimeve të mbetura, në mënyrë që të procedojmë me shpalljen e rezultateve përfundimtar të zgjedhjeve të parakohshme për Kuvendin e Kosovës”, ka thënë Elezi.






