Zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valmir Elezi, ka njoftuar të martën në mbrëmje se në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve, është në përfundim e sipër numërimi i fletëvotimeve që i takojnë votimit me kusht dhe votimit të personave me nevoja të veçanta.
“Deri më tani (e martë, 6 janar 2026, ora 21:00) në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve janë numëruar 56 nga 57 vendvotimet, në të cilat më 28 dhjetor u mundësua votimi me kusht, si dhe janë numëruar 36 nga 37 kutitë e votimit brenda të cilave janë vendosur fletëvotimet nga votimi i personave me nevoja të veçanta, votimi i të cilëve është mundësuar ditën e zgjedhjeve përmes ekipeve mobile”, tha Elezi.
Sipas tij, “derisa numërimi i këtyre fletëvotimeve nga këto dy lloje votimi është duke shkuar drejt fundit, në QNR ka filluar numërimi i pjesës së dytë të fletëvotimeve që i takojnë votimit jashtë Kosovës, respektivisht votimit përmes postës. Pra, në vazhdim të procesit të numërimit do të përfshihen fletëvotimet nga votimi përmes postës të tërhequra më 2 dhe 5 janar 2026 nga kutitë postare jashtë Kosovës”.
Sipas njoftimit të KQZ-së, më 2 janar, nga kutitë postare në Pragë, Londër, Paris, Zagreb, Stokholm, Stamboll, Neë York, Kanbera dhe Kopenhagë, janë tërhequr 8,180 pako të tjera me fletëvotime, ndërkaq më 5 janar, nga 13 kutitë postare, në: Tiranë, Berlin, Vjenë, Bernë, Bruksel, Hagë, Podgoricë, Oslo, Shkup, Otavë, Ljublanë, Romë dhe Prishtinë, janë tërhequr 11,867 pako me fletëvotime. Pjesa më e madhe e tyre janë sjellur në Kosovë.
Ndërkaq, fletëvotimet e numëruara më herët në QNR (3 – 5 janar 2026) dhe që i takonin votimit përms postës, ishin pjesë e më shumë se 28 mijë pakove me fletëvotime që ishin tërhequr nga KQZ para vitit të ri.






