Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka njoftuar se ditën e mërkurë ka filluar proesi i numërimit të votave të kandidatëve për deputetë dhe verifikimit të votave të subjekteve politike në 14 komuna të tjera.

Nga Qendra Komunale e Numërimit (QKN) në Prishtinë, Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi ka treguar se këto 14 komuna i janë bashkuar procesit të numërimit dhe verifikimit që filloi të martën në qendrat tjera, si: Prishtinë, Lipjan, Obiliq dhe Partesh.

“Gjatë ditës së sotme, e mërkurë, në orën 16:00 është planifikuar të fillojë procesi i numërimit në Qendrat Komunale të Numërimit në Komunat: Deçan, Gjakovë, Gllogoc, Gjilan, Fushë Kosovë, Kamenicë, Mitrovicë e ugut, Skënderaj, Shtërpcë, Viti, Ranillug, Kllokot dhe Mitrovicë e Veriut, kurse në orën 13:00ka filluar numërimi në Hanin e Elezit”, njoftoi Elezi.

Ai ka sqaruar më tej se krahas numërimit të votave të kandidatëve, do të bëhet edhe verifikimi i votave të subjekteve politike nga formularët të cilët janë plotësuar në vendvotime.

“Në Qendrat Komunale të Numërimit, përveç procesit të numërimit të votave të kandidatëve për deputetë, do të bëhet verifikimi i votave të subjekteve politike nga formularët të cilët janë plotësuar në vendvotime pas numërimit të votave për subjektet politike. Ky verifikim është paraparë me aktet nënligjore që janë miratuar nga KQZ qysh para shpalljes së datës së zgjedhjeve dhe sigurisht se kjo do të heq të gjitha dilemat që janë krijuar gjatë problemeve në publikimin e rezultateve preliminare për subjektet politike”, tha Elezi.

Elezi ka thënë se pas përfundimit të votimit në vendvotime si dhe pas përfundimit të votimit jshtë Kosovës në përfaqësi diplomatike dhe përmes postës, i gjithë angazhimi i institucionit është i përqendruar në shpalljen e rezultateve përfundimtare për subjektet politike dhe kandidatët për deputetë.

“Deri në shpalljen e rezultateve përfundimtare, KQZ duhet të numërojë votat e kandidatëve për deputetë dhe të bëjë verifikimin e votave të subjekteve politike nga formularët të cilët janë plotësuar në vendvotime; numërimin e votave me kusht; votat e personave me nevoja të veçanta dhe votat nga votimi jashtë Kosovës. KQZ është e përkushtuar maksimalisht që të gjitha këto procese të kryhen në kohën më të shpejtë të mundur, por duke siguruar saktësi në evidentimin e vullnetit të çdo votuesi. KQZ sqaron se integriteti i votës nuk është i cenuar dhe pavarësisht vonesave që janë shkaktuar si pasojë e problemeve me platformën elektronike, rezultatet përfundimtare do të jenë të sakta dhe të bazuara në vullnetin e qytetarëve të shprehur përmes votës së tyre”, ka thënë Elezi