El Clásico i 263-të në histori do të vendosë fituesin e Superkupës së Spanjës. Sonte në Jeddah të Arabisë Saudite duke filluar nga ora 20:00, Barcelona dhe Real Madridi përballen në finalen e madhe, ku përveç trofeut, në lojë janë edhe prestigji dhe dominimi i parë i vitit 2026.
Dy rivalët e përjetshëm janë takuar tashmë këtë sezon, me Real Madridin që fitoi 2-1, duke i dhënë fund serisë prej katër fitoreve radhazi të Barcelonës në El Clásico. Megjithatë, katalanasit kanë kujtime të ëmbla nga Superkupa, pasi sezonin e kaluar e shkatërruan Realin 5-2 në finale, duke fituar trofeun e 15-të në histori.
Barcelona e Hansi Flick vjen në finale në formë të shkëlqyer, pasi mposhti bindshëm Athletic Clubin 5-0 në gjysmëfinale. Real Madridi, nga ana tjetër, siguroi biletën për finalen me fitoren 2-1 ndaj Atletico Madridit, duke vendosur finalen e katërt radhazi të Superkupës mes dy gjigantëve spanjollë.
Gjendja e skuadrave
Barcelona ka lajme pozitive nga infermieria, me vetëm Gavi, Ter Stegen dhe Christensen të dëmtuar. Lamine Yamal është konfirmuar i gatshëm për start, ndërsa Flick pritet të ruajë të njëjtën formacion nga gjysmëfinalja.
Formacioni i mundshëm i Barcelonës (4-2-3-1):
García; Kounde, Cubarsí, García, Balde; Pedri, De Jong; Yamal, Fermín, Raphinha; Ferran Torres.
Te Real Madridi, vëmendja kryesore është te Kylian Mbappé. Francezi udhëtoi papritur me ekipin pas rikuperimit nga dëmtimi në gju dhe pritet të startojë, edhe pse jo 100% i gatshëm. Dyshime mbeten për Rodrygon, Rüdigerin dhe Asencion, ndërsa Militão dhe Brahim Díaz mungojnë.
Formacioni i mundshëm i Real Madridit (4-2-3-1):
Courtois; Valverde, Asencio, Huijsen, Carreras; Tchouaméni, Camavinga; Rodrygo, Bellingham, Vinicius Junior; Mbappé.
Parashikimi
Me 16 gola të shënuar në tri finalet e fundit të Superkupës mes këtyre dy ekipeve, spektakli dhe golat duken të garantuara. Barcelona vjen me një mbrojtje më të qëndrueshme, duke pësuar vetëm një gol në gjashtë ndeshjet e fundit, ndërsa Real Madridi ka probleme serioze në prapavijë për shkak dëmtimesh.
Një ndeshje e hapur, me ritëm të lartë dhe shumë raste pritet në Xhedah, por avantazhi i lehtë i shkon Barcelonës, e cila synon ta mbrojë trofeun dhe të fitojë Superkupën e dytë radhazi.






