-0.8 C
New York
Wednesday, February 5, 2025

Buy now

Ekuadori drejt përjashtimit nga Botërori i këtij viti, zbulohen provat e reja për falsifikim të dokumenteve

- Advertisement -

Ekuadori është në rrezik serioz për t’u përjashtuar nga Kampionati Botëror “Katar 2022”, pasi audio dhe dokumentet vërtetuan se mbrojtësi i djathtë, Byron Castillo, pranoi se kishte përdorur një certifikatë të rreme lindjeje.

Pasi Ekuadori u kualifikua për në Botëror, Federata e Futbollit e Kilit paraqiti një ankesë zyrtare në FIFA në muajin prill, kur pretendoi se Castillo falsifikoi dokumentet e tij të lindjes dhe ishte një emigrant i paligjshëm.

Kilianët paraqiten argumentet e tyre në lidhje me lojtarin, për të cilin thanë se në të vërtetë ai është kolumbian.

Sipas ankesës së bërë nga Federata kiliane, dokument që ishte publikuar nga gazeta spanjolle “Marca”, thuhet se Castillo kishte lindur në Tumaco të Kolumbisë në vitin 1995, dhe jo në vitin 1998.

Kili pretendoi se ka prova se Castillo ka lindur në të vërtetë në Tumaco, Kolumbi në 1995, dhe jo në Playas të Ekuadorit më 1998, siç thonë dokumentet e tij zyrtare.

FIFA e shqyrtoi ankesën dhe e hodhi poshtë atë në qershor të këtij viti. Megjithatë, “Daily Mail” ka publikuar një raport të detajuar që duket se vërteton se Castillo është kolumbian.

Në një audio-incizim, marrë nga një intervistë që ai bëri me kreun e Komisionit Hetimor të FEF-së në dhjetor të vitit 2018, Castillo konfirmoi se ishte i lindur në vitin 1995 dhe jo më 1998, teksa kishte folur edhe për largimin nga Tumaco për në San Lorenzo në Ekuador për të çuar përpara karrierën e tij futbollistike.

“Kam kaluar kufirin sepse, e dini, skuadrat nga Tumaco luajnë në San Lorenzo. Unë shkova për të bërë disa prova në San Lorenzo, e mbaj mend shumë mirë. Nuk u zgjodha kurrë për asnjë nga skuadrat në ato prova, por shoku im që u zgjodh nuk u shfaq kurrë, kështu që unë shkova në vend të tij. Shkova në shtëpi, u thashë prindërve që duhet të iki, por në atë kohë nuk kishim para, e mbaj mend shumë mirë. Dhe fillova të qaja. Mamaja ime ishte e shqetësuar, ajo nuk donte të më bënte këtë. Dhe unë isha i shqetësuar. Babai im u largua rreth 7, ai u kthye në 11 ose 12, me para, 20,000 pesos kolumbiane. Me këto kam udhëtuar për në San Lorenzo”, kishte thënë ai, cituar nga “Daily Mail”.

“Unë mbërrita dhe nuk dija si t’i rregulloja gjërat. Ata thanë ne do t’ju ndihmojmë. Kisha nevojë për ndihmë. Erdha këtu sepse doja të ndihmoja familjen time. E dija situatën atje në Tumaco. Arrita dhe fillova të luaj pa asnjë problem. Dhe vetëm tani shoh që të gjitha problemet shfaqen”, kishte thënë ai.

Castillo gjithashtu kishte thënë se pronari i “Norteamerica”, Marco Zambrano, i kishte siguruar dokumentet e tij të reja dhe pasaportën  false.

“Marco Zambrano bëri gjithçka për ju në fillim?”, ishte pyetur ai, teksa ishte përgjigjur duke deklaruar: “Sigurisht, ai më tha se do të më ndihmonte”.

Emri në certifikatën e tij të lindjes ekuadoriane është: “Byron David Castillo Segura”, kurse emri i tij në dokumentacionin kolumbian është “Bayron Javier Castillo Segura”.

Për më tepër, edhe nënshkrimi i babait të tij Harrinson Jose Castillo në dokumentin ekuadorian nuk përputhet me nënshkrimin në dokumentin kolumbian.

Audio-incizimi i publikuar “Daily Mail” pritet që të ushtrojë presion mbi Komisionin e Apelit të FIFA-s. Provat e lartpërmendura nuk u përdorën në një seancë dëgjimore në qershor, por padyshim do të jenë në qendër të vëmendjes kur Komisioni i Apelit i FIFA-s të analizojë situatën këtë javë. Ky Komision do të mblidhet të enjten, kur vendimi nga shtëpia më e madhe e futbollit lidhur me këtë çështje mund edhe të ndryshojë.

Kili shpreson të zëvendësojë Ekuadorin nëse përjashtohet nga Kampionati Botëror, pasi Byron Castillo luajti kundër tyre në dy ndeshje kualifikuese nga të cilat mori vetëm një pikë.

Nëse FIFA merr vendim duke dhënë dy fitore me rezultat 3-0, Kili do të ngjitej nga pozita e shtatë në të katërten në tabelën përfundimtare të Amerikës së Jugu, që nënkupton se do të siguronin një vend për në “Katar 2022”.

Ky rregull u zbatua në vitin 2018, kur Bolivia humbi ndeshjet kundër Kilit dhe Perusë pasi luajti me mbrojtësin e lindur në Paraguai, Nelson Cabrera, në kualifikimet e Kampionatit Botëror.

Kombëtarja e Perusë është përfituesi tjetër i mundshëm nëse Ekuadori përjashtohet dhe i regjistrohen të gjitha ndeshjet kualifikuese si të humbura.

Ndryshe, Ekuadori është shortuar në Grupin A të Botërorit, së bashku me Holandën, Senegalin dhe Katarin.

Audio-incizimin dhe dokumentet e tjera të publikuara nga “Daily Mail”, mund t’i shikoni duke klikuar në linkun e mëposhtëm. 

EXCL: Ecuador face being kicked out of the World Cup amid new evidence of fake passports, multiple identities and an apparent cover-up | @MattHughesDM https://t.co/qQiMTSHx6j— MailOnline Sport (@MailSport) September 12, 2022

Të ngjashme

122,026FansaPëlqeje
12,000NdjekësitNdjek

Të fundit