Ekstradohen nga Italia dy persona të kërkuar nga drejtësia kosovare për vjedhje të rëndë dhe vrasje në tentativë

- Advertisement -

Dy persona të kërkuar me letër-rreshtim ndërkombëtar nga institucionet e drejtësisë së Kosovës janë ekstraduar nga Italia drejt Kosovës më 12 dhe 13 mars 2026, njofton Policia e Kosovës.

Policia e Kosovës ka bërë të ditur se përmes Drejtorisë për Bashkëpunim Ndërkombëtar Policor, në koordinim me njësitë tjera relevante dhe institucionet e drejtësisë, është realizuar me sukses ekstradimi i dy personave të kërkuar përmes INTERPOL-it.

Sipas njoftimit, më 12 mars është realizuar ekstradimi i personit me inicialet A.B., i cili kërkohej nga institucionet e drejtësisë në Kosovë për veprën penale “vjedhje e rëndë”.

“Me datë 12.03.2026 është realizuar ekstradimi i të kërkuarit A.B., pasi që nga institucionet e drejtësisë së Kosovës kërkohej për veprën penale ‘Vjedhje e rëndë’”, thuhet në njoftimin e policisë.

Ndërkaq, një ditë më vonë, më 13 mars, është ekstraduar edhe personi me inicialet Xh.K., i cili kërkohej për veprat penale “vrasje në tentativë dhe armëmbajtje pa leje”.

“Me datën 13.03.2026 është ekstraduar i kërkuari Xh.K., pasi që i njëjti nga institucionet e drejtësisë së Kosovës kërkohej për veprat penale ‘Vrasje në tentativë dhe armëmbajtje pa leje’”, bëhet e ditur në komunikatë.

Policia thekson se të dy ekstradimet janë realizuar në bazë të ligjeve në fuqi dhe falë bashkëpunimit të ngushtë ndërmjet institucioneve të Republikës së Kosovës dhe autoriteteve italiane.

“Pas ekstradimit, të dyshuarit u dorëzuan njësive përkatëse të policisë në rajonin e Prizrenit, përkatësisht në Mitrovicë”, thuhet në njoftim

Të ngjashme

Të fundit