Me një kërkim të thjeshtë në rrjete sociale, mund të shohësh shumë zyrtarë policorë në krye të detyrës.
Me apo pa dashje, shumë pjesëtarë të Njësive Speciale të Kosovës u ekspozuan në rrjete sociale.
Megjithatë, sipas Rregullores së Policisë së Kosovës një gjë e tillë është e ndaluar për zyrtarët e saj.
“Punonjësi i Policisë, nuk lejohet të postojë fotografi, video me uniformë dhe pajisje policore në ambiente pune dhe jashtë saj, të cilat bien në kundërshtim me etikën policore dhe dëmtojnë imazhin e Policisë”
Tëvë1 ka kërkuar të dijë nga ky institucion se sa është duke u respektuar nga policët një rregullore e tillë, por që as pas dy javësh pritje, nuk ka pasur përgjigje.
E nënkoloneli në pension, Refki Morina vlerëson se duhet një vetdijësim më i madh i efektivëve policorë për këtë çështje.
“Unë mendoj se ka rregullativa të mjaftueshme duke filluar prej lejes së Policisë edhe rregullativa tjera që përcaktojnë etikën policore, raportin në punë dhe detyrat në punë dhe gjërat që janë sekrete dhe të Policisë nuk duhet të aplikohen ose paraqiten në media ose rrjete sociale sepse shpeshherë mund të keqpërdoren ato edhe fotografitë e tyre. Mendoj se duhet të jetë një vetëdije e njësive elite të dijmë se çka po qesin në rrjete sociale”, shprehet Morina.
Kurse, hartuesi i Ligjit për Policinë, Nuredin Ibishi tregon se një gjë e tillë ndikon edhe në çështjet operacionale të organeve të sigurisë.
“Ata mund të rrezikojnë veten dhe gjithkë derisa mirren me imazhe, derisa një çështje një veprim operacional mund të dështojë. Për këtë arsye duhet të jenë të përqendruar në krye të detyrave dhe të mos mirren me çështje sporadike të shfaqjes së imazheve. Plus ajo mund të zbulojë edhe vendin pasi që çdo herë këto imazhe po shkojnë në gjendje reale të transmetimit dhe mund të jenë rrezik nga pretendues të caktuar”, ka thënë Ibishi.
Ndryshe, para disa javësh është bërë publik lajmi se tre eprorë të Njësive Speciale të Policisë janë futur në listën e zezë të Rusisë.