-1.4 C
New York
Tuesday, December 24, 2024

Buy now

Ekspertja rumune për Ballkanin: Të thuash “Kosova është Serbi” mohon viktimat e Millosheviqit

- Advertisement -
“Revizionizmi nuk pranohet në futboll. Federata Rumune e Futbollit (FRF) e refuzon me forcë sjelljen e papërgjegjshme të grupit të shikuesve që shkaktoi ndërprerjen e ndeshjes së të martës në mbrëmje mes Rumanisë dhe Kosovës në Arenën Kombëtare. Presidenti i Këshillit Kombëtar për Luftën kundër Diskriminimit, Csaba Asztalos, tha për News.ro se kemi nevojë për ligje që lejojnë Xhandarmërinë të konfiskojë pankarta të tilla. Ndeshja u ndërpre për rreth 50 ndeshje pasi një grup mbështetësish shfaqën mesazhin ‘Kosova është Serbi’”.

Kështu shkruan edicioni rumun i Radio France International (RFI), i cili edhe ka folur me Miruna Troncota, eksperte e Ballkanit Perëndimor nga Departamenti i Marrëdhënieve Ndërkombëtare dhe Integrimit Evropian në kuadër të SNSPA (Shkolla Kombëtare e Studimeve Politike dhe Administrative SNSPA).

Ekspertja Troncota ka folur për raportet e vendit të saj, Rumanisë me Kosovën, pikërisht pas ndeshjes së mbrëmshme mes dy vendeve, ku pati një incident të madh diplomatik kur tifozë ultras rumunë shfaqën transparentin “Kosova është Serbi” dhe pati thirrje në kor “Serbia, Serbia”, teksa po intonohej himni i Kosovës në fillim të ndeshjes.

Mesazhi është thellësisht ofendues dhe mund të mos ketë qenë një akt i rastësishëm, beson profesoresha universitare Miruna Troncota, e cila kujton qëndrimin zyrtar të Rumanisë për Kosovën.

“Qëndrimi i Rumanisë u konfirmua si në vitin 2008, kur Kosova shpalli pavarësinë, por edhe më vonë në vitin 2010 pasi Gjykata Ndërkombëtare publikoi qëndrimin e saj për këtë temë, me kërkesë të Serbisë, duke thënë se shpallja e pavarësisë së Kosovës nuk është shkelje e së drejtës ndërkombëtare, duke iu referuar kryekëput deklaratës në Parlament, gjë që nuk nënkupton se Gjykata Ndërkombëtare e njeh sovranitetin e Kosovës. Po flasim për një qëndrim shumë të arsyetuar nga pikëpamja e së drejtës ndërkombëtare”, thotë Troncota, transmeton Klankosova.tv.

Ajo thotë se qëndrimi i Rumanisë mbeti i njëjtë, “domethënë se Rumania është gati të njohë pavarësinë e Kosovës sapo të jetë rezultat i një marrëveshjeje me shtetin sovran, përkatësisht Serbinë”.

“Këtë qëndrim e mbajtën katër shtetet e tjera që nuk e njohin pavarësinë e Kosovës, qëndrim i bazuar në themelet e së drejtës ndërkombëtare. Nëse një njësi e veçantë deklaron pavarësinë e saj, është e rëndësishme që ajo të jetë në përputhje me shtetin sovran dhe pozitën e tij”.

“Kjo është arsyeja pse janë bërë përpjekje ndërmjetësimi midis Serbisë dhe Kosovës në nivel të Bashkimit Evropian gjatë dhjetë viteve të fundit, në mënyrë që të arrihet një marrëveshje, në mënyrë që Serbia të gjejë një formulë për pranimin e asaj që është evidente. Pikërisht, se Kosova nuk është më pjesë e njësisë territoriale sovrane të Serbisë. Ajo tashmë ka jetuar e pavarur për 15 vjet. Dhe gjeni formula që pranohen nga Serbia”, shton ajo.

Sipas saj, sapo të ketë këtë marrëveshje me Serbinë, “Rumania do ta njohë Kosovën dhe do të njohë atë që është vendosur në këtë marrëveshje”.

Megjithatë, ekspertja e Ballkanit Perëndimor nga Departamenti i Marrëdhënieve Ndërkombëtare dhe Integrimit Evropian në kuadër të SNSPA thotë se “të thuash se Kosova është Serbi është të mohosh 15 vjet të ekzistencës së Kosovës, 15 vjet që kanë nënkuptuar edhe më shumë se 110 shtete të tjera të OKB-së që njohin pavarësinë e këtij shteti”.

“Kjo do të thotë ta heqësh nga faqja e dheut dhe të marrësh pjesë në një diskurs etno-nacionalist”, potencon Troncota.

Ajo thotë se në vendin e saj, Rumani, “ka disa grupe etno-nacionaliste, ekstremiste, siç ishte ndoshta rasti në ndeshjen e mbrëmshme, e publikojnë këtë slogan, pa e ditur historinë, pa ditur realitetet në rajon, veçanërisht realitetet e fundit”.

Ekspertja thotë se këta ekstremistë e shfrytëzojnë këtë slogan dhe e instrumentalizojnë atë për të ofenduar.

“Këtu po flasim për një kombëtare, e cila pranohet nga FIFA si kombëtare. Kjo nuk ka të bëjë fare me pozitën kombëtare të shteteve të ndryshme, as Rumanisë, as Spanjës, as të tjerëve. Këtu po flasim për një organizatë ndërkombëtare të futbollit që pranon prezencën e Kosovës. Është e ligjshme”, shprehet ekspertja rumune e çështjeve të Ballkanit Perëndimor.

Miruna Troncota thotë më tej se të mohosh ekzistencën e Kosovës i bie të mohosh viktimat e Sllobodan Millosheviqit.

“Domethënë të ofendosh dinjitetin e atyre njerëzve, që përfaqësojnë një entitet të njohur nga FIFA, nuk është gjë tjetër veçse një instrumentalizim politik, nacionalist dhe ekstremist. Pse ekstremist? Sepse shprehja ‘Kosova është Serbi’ fyen komunitetin politik kosovar duke thënë se nuk ekzistojnë si shtet, vetëm Serbia ekziston, se viktimat e tyre në luftë me regjimin e Millosheviqit nuk ekzistojnë. I referohem kësaj sepse shumica e futbollistëve në Kosovë për momentin, përfshirë serbët e Kosovës, përfshirë portierin, që duhet theksuar, kishin të afërm të drejtpërdrejtë që ishin viktima të luftës së vitit 1999. Në raport me popullsinë e Kosovës, në secilën familje ka të paktën një ose dy persona që kanë qenë viktima të luftës së vitit 1999. Kjo do të thotë se ky brez lojtarësh ka njerëz në familjet e tyre që vdiqën në vitin 1999”.

“Të thuash se Kosova është Serbi do të thotë se ato viktima nuk kanë rëndësi, ato nuk ekzistojnë dhe se jeta e tyre si qytetarë të Kosovës gjatë 15 viteve të fundit, e pranuar ndërkombëtarisht nga organizata të caktuara, nuk ekziston. Ky është një element thellësisht ofendues, do të thosha në një mënyrë më subtile se frazat raciste ose haptazi ksenofobe”, tha Troncota, transmeton Klankosova.tv.

Ajo thotë se Rumania duhet të ketë empati me rastin e Kosovës pasi edhe vetë përballet me raste të ngjashme si Kosova me Serbinë.

Teksti i shfaqur në ndeshjen e mbrëmshme, thotë ajo, është “thellësisht ofendues”.

“Kjo është edhe më ofenduese në rastin e Rumanisë, e cila vetë strehon qëndrime ksenofobe dhe secesioniste. Ne jemi shumë të ndërgjegjshëm për incidentet në disa qarqe të Rumanisë me pakicën hungareze. Duhet të ketë empati e mirëkuptim”, teksa shtoi se tifozët ekstremistë rumunë nuk dinë gjë për të drejtën ndërkombëtare, historinë dhe pranimin e realitetit të 20 viteve të fundit.

Miruna Troncota argumenton se të mos njohësh pavarësinë e Kosovës dhe të thuash se kjo e fundit është Serbi, janë dy gjëra të ndryshme – e para “nuk e anulon të drejtën e atij shteti dhe të shtetasve të tij për të pasur autonomi dhe sovranitet”, ndërsa e dyta është ofenduese sepse mohon të drejtën e ekzistencës së një vendi të njohur nga mbi 100 shtete.

Kosova “është një shtet që është një kandidat potencial për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Diku rreth vitit 2030, Kosova mund të jetë anëtare e Bashkimit Evropian si Rumania, natyrisht, nëse përmbushen disa kritere. Prandaj, të bësh një fjalim të tillë që e anulon shtetformimin dhe të drejtën për të ekzistuar të atij shteti, pa marrë parasysh se çfarë ka bërë ai shtet vitet e fundit dhe çfarë respekton, mendoj se është një mesazh ekstremist, i cili mund të përkthehet për një qytetar të Kosovës se nuk është i mirëpritur. Ju nuk jeni legjitim si shtet, ne nuk ju pranojmë. Ose kjo nuk është domethënia e vendimit të Rumanisë për të mos e njohur Kosovën”.

“Vetë vendimi nuk është kombëtar. Mu duk se të gjitha komentet u ndanë në kampe dhe u polarizuan vetëm duke u bazuar në këtë ide të thjeshtë njohjeje apo mosnjohjeje, e cila në vetvete nuk është ofenduese. Të thuash se nuk e njeh shtetformimin në bazë të së drejtës ndërkombëtare nuk mendoj se anulon të drejtën e atij shteti dhe të shtetasve të tij për të pasur autonomi dhe sovranitet. Por të thuash Kosova është Serbi është ofenduese. Ky është ndryshimi mes të dyve. Mu duk se kjo nuancë mungonte”, potencoi Miruna Troncota, eksperte e Ballkanit Perëndimor nga Departamenti i Marrëdhënieve Ndërkombëtare dhe Integrimit Evropian në kuadër të SNSPA (Shkolla Kombëtare e Studimeve Politike dhe Administrative SNSPA).

Të ngjashme

111,400FansaPëlqeje
12,000NdjekësitNdjek

Të fundit