Dëshmitari William Goodwin gjatë dëshmisë së tij në Hagë pohoi se nuk ka qenë i përfshire në analizimin e ADN-së dhe as në procesin që nga fillimi e po ashtu as në krijimin e raporteve të cilat i lexoi gjatë udhëzimeve.
Si rrjedhojë, ai pohoi se deduksionet e tij janë në fakt përfundime të të tjerave.
“Po janë të një organizate tjetër”, tha dëshmitari, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Më pas, avokatja i tha dëshmitarit në formë të pyetjes se ndonjëherë mund të identifikohet raporti e ndonjëherë jo”. Këtë gjë e pohoi edhe dëshmitari duke shtuar se nuk ka folur asnjëherë me personat që i krijuan këto raporte.
Madje, ai shtoi se prokuroria nuk ia ka kërkuar këtë gjë dhe as vetë ai atyre.
“As nuk ma kanë kërkuar dhe as nuk ua kërkova”, tha dëshmitari.
Dëshmitari pohoi se të gjitha raportet e kishin burimin nga ICMP-ja dhe se për njërin, dëshmitari e kishte bërë rishkrimin e një raporti.
Ai gjithashtu pohoi se këto raporte citonin një përputhje identiteti me persona të lidhur me këtë çështje gjyqësore.
Goodwin pohoi se prokuroria ia ka dhënë disa të dhëna si bazë për punën e tij dhe se i është kërkuar që të jetë i fokusuar në përgjigjet e tij.
Avokatja e Kadri Veselit, Colleen Rohan pyeti dëshmitarin nëse i është kërkuar nga prokuroria që të bëjë një analizë të re nga e para që do të thotë t’i analizonte vetë ai profilet e ADN-së dhe të nxirrte përfundime vetë se nga do të ishte probabiliteti i një përputhje.
“Nga pikëpamja praktike jo nuk më është kërkuar. Unë nuk kam bërë asnjëherë ndonjë rishikim të analizës, unë kam rishikuar gjetjet”, tha Goodwin duke mohuar se iu është kërkuar që të vërtetonte në thelb saktësinë apo vërtetësinë e atyre të dhënave.
Ai gjithashtu pohoi se nuk iu është kërkuar që të shikojë nëse metodologjia e praktikuar është në përputhje me standardet përkatëse.
Ndërsa për raportet, ai pohoi se del që mostrat janë nxjerrë nga eshtrat gjatë proceseve të zhvarrimeve. Pra, ajo që ka parë Goodwin në këto raporte ishin analiza nga mbetjet skeletore të zhvarrimeve.