Njohësi i çështjeve të sigurisë, Hysen Gecaj thotë se situata në sigurisë në veri mund të eskalojë, pavarësisht se ajo është e qetë për momentin.
Gecaj thotë se çfarëdo veprimi i gabueshëm nga Qeveria në Kosovë apo ajo në Serbi, në këtë kohë mund ta ‘ndezë’ situatën atje.
“Qetësitë në dukje të parë nuk nënkuptojnë gjithmonë që atje gjendja është e mirë edhe që nuk mund të eskalojë. Situata atje mundet të eskalojë në çdo moment, me çfarëdo veprimi të gabueshëm, qoftë nga ana e Qeverisë së Kosovës ose nga kërkesat e Qeverisë së Serbisë, të cilat janë të orientuara negativisht në raport me Kosovën”, ka thënë Gecaj.
Ai thotë se situatat provokohen edhe pa dashje, andaj Kosova duhet të jetë e kujdesshme sa i përket situatës në veri të vendit.
“Kështu që duhet kujdes i madh në veprimet tona sepse për këto veprime jemi përgjegjës ne, nuk jemi përgjegjës për veprimet e Serbisë. Prandaj edhe Bashkësia Ndërkombëtare në krye me ShBA-në, ishin ata të cilët gjithmonë kërkonin prej nesh që të jemi të kujdesshëm dhe të mos provokojmë situatën në veri, gjë që kjo fjala ‘të provokojmë’ duket prej këndvështrimit tonë kosovar si fjalë e pakëndshme, sikur ne jemi provokatorët, mirëpo situatat provokohen edhe pa dashje. Kështu që ne jemi ata që duhet të jemi të kujdesshëm dhe duhet të mos bëjmë veprime të gabueshme pa dashje. Sepse këto na rreshtojnë në krah me atë faktorin kryesor që në fakt i shkakton të gjitha këto trazira”, ka thënë Gecaj në Ditari në Tëvë 1.