Eksperti financiar, Milazim Abazi, ka vlerësuar se çështja e dinarit serb nuk mund të jetë pjesë e dialogut Kosovë – Serbi, sepse sipas tij, është çështje e brendshme.
Ai në “Five” tha se kjo çështje nuk u bë temë në takimin e sotëm në Bruksel, sepse nuk shkoi kryeministri Albin Kurti, por vetëm përfaqësuesit e BQK-së.
“Rregullorja e BQK-së dhe dinari nuk duhet të jetë temë e bisedimeve në Bruksel, besoj edhe se u realizua. Kryeministri që udhëheq dialogun nuk ka marrë pjesë në biseda. Këtë takim e konsideroj si një takim informues të Lajckaut për këtë çështje që është e brendshme dhe nuk ka të bëjë vetëm me serbët, por me të gjithë qytetarët”, tha ai.
Abazi e kritikoi faktorin ndërkombëtar, duke thënë se po fusin tema të brendshme të Kosovës në dialog me Serbinë.
“Është qasje e gabuar e faktorit ndërkombëtar dhe miqve tanë që po ndërmjetësojnë, sepse çdo çështje nuk mund të bisedohet në dialog, është çështje e brendshme dhe ligjore dhe në pajtim me të gjitha rregullat, me rregullative. S’kemi pasur reagim të Bankës Qendrore Evropiane, sepse s’ka pasur asnjë shkelje të ligjit”, tha ai.