Rritja e vazhdueshme e çmimeve të artikujve, sidomos muajt e fundit ka bërë që të ketë propozime të ndryshme se si kjo situatë të jetë më e përballueshme për qytetarët, raporton Ekonomia Online.
Si opsionale është përmendur heqja e akcizës dhe e TVSh-së për një periudhë të caktuar, për disa produkte.
Ky propozim sipas njohësve të ekonomisë do të ndikonte në uljen e çmimit të një varg produktesh, por që do të prekte edhe buxhetin e shtetit.
Ish-drejtori i Doganës së Kosovës, Naim Huruglica, për Ekonomia Online tha se Qeveria e Kosovës duhet të jetë e kujdesshme, pasi që ka kërkesa edhe për rritjen e pagave, pensioneve e ndihmave sociale.
Ai konsideron se çdo ulje nënkupton më pak të hyra dhe mund të jetë problem në financimin e buxhetit të shtetit.
“Akzica dhe TVSh-ja ose TVSh-ja më mirë më e marrë është tatimi kryesor të cilin shteti e grumbullon edhe me të cilin financon nevojat e buxhetit. Kërkesa për me heq TVSh-në ose akcizën në cilin do produkt mund të jetë pozitiv, në kuptimin se mundet të ketë një efekt direkt në uljen e çmimeve të atyre produkteve të cilat synohen. Po në anën tjetër Qeveria duhet me qenë shumë e kujdesshme, me ditë sa po heq, për sa kohë, në çfarë përqindje”.
“Ne kemi një situatë paralele ku ka kërkesë për rritje të pagave, pensioneve ose ndihmave të tjera dhe në anën tjetër ka kërkesë për ulje të tatimeve. Këto dyja bashkë është problem të shkojnë paralel ose duhet me qenë një kujdes shumë i madh. Çdo ulje tatimi nënkupton më pak të hyra, atëherë mund të ketë problem me financuar buxhetin”.
Me heqjen e TVSh-së dhe akcizës, sipas Huruglicës është e mundur ligjërisht dhe me këtë do të uleshin edhe çmimet e produkteve.
Ai shtoi do të jetë e vështirë për Qeverinë se si do të kompensohen këto të hyra.
“… nëse ne e blejmë një litër karburant, një litër nafte 1 euro e 70 duhet ta llogaritni që ato 36 cent janë vetëm taksë e akcizës. Nën supozimin që ajo bie në 0, menjëherë t’i e ke një ulje prej 36 cent më pak. A është e mundshme kjo, ligjërisht po. Në praktikë do të jetë vështirë sepse Qeveria do të jetë në situatë shumë të vështirë pastaj si t’i kompensoj ato të hyrat të cilat aktualisht i mbledh prej akcizës. Mos të harroj ta përmend, pas TVSh-së akciza është tatimi i dytë me shumën më të madhe që i kontribuon buxhetin e Kosovës”.
Njohësi i çështjeve ekonomike Erton Bega në një intervistë për Ekonomia Online tha se heqja e akcizës dhe e TVSh-së të ishte hap i duhur.
“Sigurisht që në kuadër të masave fiskale për zbutjen e çmimeve, heqja e akcizës apo e TVSH-së për një periudhë të caktuar apo reduktimi i tyre do të ishte një hap i duhur drejt stabilizimit të çmimeve duke e pasur në konsideratë rritjen e jashtëzakonshme të çmimeve që ka ndodhur muajt e fundit si rrjedhojë e konfliktit në Ukrainë”.
Begaj thotë se inflacioni ka siguruar të hyra shtesë në buxhetin e shtetit, sipas tij Qeveria duhet që këtë rritje ta kthej te qytetarët me uljen e TVSh-së për një periudhë të caktuar duke pasur parasysh edhe rritjen e jashtëzakonshme të çmimeve.
“Vetë inflacioni tash ka siguruar të hyra shtesë në buxhetin e shtetit. Për shkak që është e nënkuptueshme që rritja e çmimeve në import e cila sipas raportit të Agjencisë së Statistikave ishte rreth 21%, ka ndikuar edhe proporcionalisht në rritjen e të hyrave të buxhetit. Mirëpo, Qeveria në këtë rast duhet të heq dorë nga kjo rritje e paplanifikuar dhe këtë rritje ta kthej tek qytetarët përmes uljes së TVSh-së për një periudhë të caktuar kohore e cila do të ndikonte në kthimin e konfidencës në treg duke e pasur parasysh këtë situatë të jashtëzakonshme të çmimeve”.
Ai sqaron se këtë veprim e kanë marrë shumë shtete në Evropë, duke bërë kështu që të ulen çmimet e shumë produkteve, raporton EO.
“Sigurisht që kish me do t’iu ndihmonte. Shumë shtete në Evropë kanë ndërmarrë veprime të tilla, kanë ulur TVSh-në dhe kanë ulur akcizën dhe qytetarët do të ishin përfitues direkt sepse çmimet në mënyrë automatike do të zbriteshin për aq sa do të ulej TVSh-ja”.
“Patjetër që ulen sepse nëse i marrim produktet e derivateve ato kanë një normë të TVSh-së prej 18% dhe ulja e saj ta zëmë në 10% për një periudhë kohore të caktuar do të kishte impakt drejtpërdrejtë në zbritjen e çmimeve. Njëjtë ndodh edhe me produktet e tjera esenciale pasi që TVSh-ja si tatim shtohet mbi çmimin real të importit të produkteve”.