Pasi Parlamenti Evropian nëpërmjet një rezolute i bëri thirrje BE-së që të miratojë një qasje të re në dialog, në mënyrë që Kosova dhe Serbia me zbatimin e marrëveshjeve ta tejkalojnë ngecjen aktuale, ekspertët në Serbi besojnë se nuk ka optimizëm përderisa ka çështje që shkaktojnë tensione.
Ekspertët në Serbi besojnë se dialogu është në ngërç sepse marrëveshjet nuk zbatohen si paketë.
“Nuk kemi proces që ne prisnim t’i zgjidhnim problemet e njerëzve. Nga viti në vit kemi incidente, dhe në vend që të zgjidhen problemet vetëm një zjarr shuhet. Cila është perspektiva kur i kemi të gjitha këto situata, si me dinarë, pastaj me institucione paralele. Problemi është se nuk ka zgjidhje thelbësore për problemet në një paketë”, ka theksuar për RTK, Dragan Popoviq nga Qendra për Politikë Praktike
Parlamenti Evropian gjithashtu vuri në dukje se dështimi për të normalizuar marrëdhëniet do të ndikonte negativisht në integrimin e të dy vendeve në BE.
Pikërisht lidhur me këtë pritet që detyrimet nga Marrëveshja e Ohrit të jenë ligjërisht të detyrueshme për palët, ndërsa për Serbinë përmes kornizës së negociatave, pra përmes ndryshimit të Kapitullit 35.
“Ai kapitulli mund të plotësohet në shumë mënyra, dhe ne nuk mund të dimë deri sa të publikohet. Disa nga të arriturat e Marrëveshjes së Brukselit u anuluan me largimin e serbëve nga institucionet, ndërsa janë zbatuar disa gjëra si në telekomunikacion, energji, etj. Pra, diçka tashmë është përmbushur dhe është kthyer në një gjendje para Marrëveshjes së Brukselit, ndërsa ndoshta do të ketë disa gjëra të reja për të cilat nuk mund të dimë tani”, ka theksuar juristi, Dragutin Neneziq.
Në Beograd nuk mendohet se procesi i dialogut të nivelit të lartë do të vazhdojë, por besohet se fokusi do të jetë në monitorimin e zbatimit të asaj që është rënë dakord në Bruksel dhe Ohër.