9.2 C
New York
Sunday, November 17, 2024

Buy now

Ekspertët: Izraelit i duhet një strategji e re kundër Hamasit

- Advertisement -

Në ditën kur Hamasi – grup i shpallur terrorist nga Shtetet e Bashkuara dhe fuqi të tjera – ka kryer sulmin më vdekjeprurës kundër Izraelit, kryeministri i këtij vendi, Benjamin Netanyahu, është zotuar se do të vrasë secilin anëtar të tij. Nga 7 tetori, ai ka përsëritur vazhdimisht se “vrasësit e Hamasit” nuk do të kenë ku të fshihen.

“Do ta eliminojmë Hamasin dhe do t’i kthejmë pengjet tona – këto janë dy misione të shenjta”, ka thënë ai gjatë një vizite në një kazermë ushtarake, këtë muaj.

Me sulme nga ajri dhe pastaj nga toka, Izraeli ka nisur operacionin “Shpatat e hekurit” në Gazë, shtatë javë më parë, pasi Hamasi ka sulmuar i pari territorin e tij, duke vrarë mbi 1.200 njerëz dhe duke marrë pengje mbi 200 të tjerë. Autoritetet shëndetësore në Gazë thonë se mbi 14.000 njerëz janë vrarë, prej se Izraeli ka nisur fushatën e tij kundër Hamasit. Grupi ekstremist kontrollon Gazën nga viti 2007, por fundin e sundimit të tij e duan edhe Shtetet e Bashkuara.

 

 

“Kur bëhet fjalë për qeverisjen pas konfliktit në Gazë, disa gjëra janë të qarta dhe të nevojshme. Së pari, Gaza nuk mund të vazhdojë të udhëhiqet nga Hamasi. Kjo, thjesht, do të nënkuptonte përsëritje të 7 tetorit dhe që Gaza të përdoret si një vend nga ku mund të kryhen sulme terroriste”, ka thënë sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken.

Hamasi është krijuar në vitin 1987 gjatë kryengritjes së parë palestineze kundër pushtimit izraelit. Grupi është zotuar se do ta asgjësojë Izraelin dhe ka qenë përgjegjës për shumë sulme vetëvrasëse me bomba dhe sulme të tjera vdekjeprurëse kundër civilëve dhe ushtarëve izraelitë. Ai ka krijuar një rrjet të madh tunelesh që kalojnë nga Gaza në Egjipt, për të kontrabanduar armë, si dhe tunele sulmesh që arrijnë deri në Izrael. Por, pas gati 50 ditësh luftë, autoritetet izraelite thonë se ushtria e tyre ka arritur të shkatërrojë shumë qendra dhe kapacitete të Hamasit, të ndërtuara prej vitesh.

“Gaza është baza më e madhe e terrorit e ndërtuar ndonjëherë nga njerëzimi. I gjithë ky qytet është një bazë e madhe terroriste. Me kilometra tunele nëntokësore që lidhen me spitale e shkolla”, ka thënë ministri izraelit i Mbrojtjes, Yoav Galant.

Max Abrahms, profesor i shkencave politike në Northeastern University dhe njëherësh ekspert i sigurisë ndërkombëtare, thotë për programin Expose të Radios Evropa e Lirë se dobësimi i Hamasit do të ishte objektiv më real për Izraelin, sesa shkatërrimi i plotë i tij. Izraeli ka zhvilluar tashmë katër luftëra me Hamasin dhe çdo përpjekje për t’i ndalur sulmet e tij me raketa, ka dështuar.

“Hamasi nuk do të zhduket plotësisht. Ka shumë anëtarë, ka shumë simpatizues. Ka shumë mbështetës edhe në Perëndim, por edhe brenda Lindjes së Mesme. Ka, po ashtu, shtete mbështetëse. Irani e mbështet Hamasin. Turqia e mbështet Hamasin, Katari e mbështet Hamasin”, thotë Abrahms. Se Hamasi është një ideologji që ka mbështetës gjetiu e thotë edhe Hilary Kalisman, drejtore e Programit për Studime Hebraike në Universitetin e Kolorados.

“Mendoj se kapacitetet ushtarake të Izraelit janë në gjendje ta parandalojnë Hamasin që të kryejë sulme të këtyre përmasave në të ardhmen. Mendoj se kjo është e mundur. Por, nuk mendoj se është e mundur që të zhduket çdo person që është pjesë e organizatës”, thotë Kalisman për Exposenë.

Sipas vlerësimeve të disa instituteve në Perëndim, krahu ushtarak i Hamasit ka mbi 25.000 pjesëtarë, ndërsa infrastruktura e tij për mirëqenie sociale numëron 80.000-90.000 anëtarë.

Sipas fjalëve të sekretarit amerikan të Shtetit, Blinken, “idetë e çoroditura” të Hamasit duhet të luftohen me “ide më të mira” dhe me një vizion që u jep njerëzve diçka për të shpresuar. Në mungesë të kësaj, “kënga e nihilizmit” do të gjejë veshë për t’u dëgjuar, ka thënë Blinken.

Kalisman thotë se strategjia aktuale e Izraelit për zhdukjen e Hamasit ka pak gjasa të funksionojë. Sipas saj, gjasat më të mëdha janë që Izraeli “të prodhojë më shumë terroristë, sesa të vrasë”.

“Historikisht, Izraeli është përgjigjur në mënyrë joproporcionale ndaj sulmeve të Hamasit. Kjo ka qenë një strategji e ushtrisë, për t’i parandaluar sulmet e ardhshme. Pra, duke përdorur forcë joproporcioanle. Mendoj se të njëjtën gjë po e shohim edhe tash. Por, me këtë, Izraeli po krijon një brez të ri palestinezësh, që të vetmen gjë që dinë për Izraelin, është se ai kryen bombardime pa dallim në Rripin e Gazës. Kjo mund të rezultojë me më shumë grupe radikale që duan shkatërrimin e Izraelit”, thotë Kalisman.

Për të shkatërruar Hamasin, ajo thotë se Irani dhe vendet e tjera duhet ta ndërpresin mbështetjen për të. Po ashtu, thotë Kalisman, do të duhen mjete afatgjate politike dhe sociale që i eliminojnë arsyet përse të rinjtë në Gazë e ndiejnë nevojën për t’iu bashkuar organizatave si Hamasi. Alternativë e qëndrueshme e kësaj do të ishte nisja e procesit për krijimin e shtetit palestinez, thotë Kalisman.

“Sulmet e tmerrshme terroriste të Hamasit kanë nxjerrë në pah nevojën për të gjetur një zgjidhje politike për palestinezët, për të bërë diçka me sovranitetin e tyre. [Përveç zgjidhjes me dy shtete], opsion tjetër që ka qarkulluar është federata ose shteti binacional. Mendoj se ia vlen të shikohen këto opsione, për të parë nëse ka mundësi të ekzistojë një grupim izraelit dhe një grupim palestinez, që kanë sovranitet mbi një zonë të caktuar dhe jetesë të krahasueshme ekonomike dhe sociale në atë zonë. Kjo mendoj se është mënyra e vetme për të mos pasur më shumë dhunë në të ardhmen”, thotë Kalisman.

Në vitin 2007, Hamasi ka marrë dhunshëm kontrollin e Gazës nga Autoriteti Palestinez, i cili dominohet nga lëvizja rivale Fatah dhe njihet ndërkombëtarisht.

Nga ajo kohë, Izraeli ka bllokuar Gazën, duke kufizuar lëvizjen e njerëzve dhe mallrave brenda dhe jashtë territorit. Për Izraelin, ky hap ka qenë i nevojshëm për ta frenuar Hamasin, por bllokada ka shkatërruar ekonominë e Gazës dhe palestinezët e akuzojnë Izraelin për ndëshkim kolektiv.

Me kalimin e viteve, pastaj, Hamasi ka marrë mbështetje nga vendet arabe dhe myslimane, si Katari dhe Turqia, ndërsa kohëve të fundit është afruar më shumë me Iranin dhe aleatët e tij.

Vetë Izraeli nuk duket se ka ndonjë plan politik për periudhën e pas luftës në Gazë. Izraeli pretendon se nuk dëshiron të qeverisë me Gazën, por Gaza do të duhet të qeveriset dhe Izraeli nuk ka shpjeguar se si do të duket kjo enklavë pas Hamasit.

Abrahms, nga Northeastern University, beson se Izraeli, tash për tash, është më i përqendruar në zvogëlimin e kërcënimit terrorist dhe në vetëmbrojtje, por kjo, sipas tij, nuk do ta zgjidhë assesi konfliktin mes palëve.

“Shpesh është e vështirë për njerëzit ta pranojnë, por realiteti është se disa konflikte, disa probleme në jetë nuk duket se kanë zgjidhje. Kjo vlen edhe për sëmundjet. Disa faza të kancerit, për fat të keq, nuk janë të shërueshme. As disa sëmundje të zemrës. Unë nuk e di çfarë zgjidhjeje do të rekomandoja [për konfliktin izraelito-palestinez]. Nuk besoj se ekziston ndonjë zgjidhje e pastër. Nuk e shoh si të realizueshme ndonjë zgjidhje politike. Nuk mendoj se ka mbështetje për idenë e zgjidhjes me dy shtete”, thotë Abrahms.

Ndonëse këtë javë dy palët ndërluftuese janë dakorduar për një armëpushim të përkohshëm dhe për lirimin e disa pengjeve, izraelitët janë paralajmëruar që të përgatiten për një luftë të gjatë, ndërsa një rekord prej 360.000 rezervistësh janë paraqitur tashmë në detyrë. Por, janë civilët palestinezë ata që paguajnë gjithmonë çmimin më të lartë për sulmet hakmarrëse në Gazë. Pyetja tani është: edhe sa kohë mund ta vazhdojë Izraeli fushatën e tij kundër Hamasit, marrë parasysh presionin ndërkombëtar për një zgjidhje politike?/REL/

Të ngjashme

111,400FansaPëlqeje
12,000NdjekësitNdjek

Të fundit