12.1 C
New York
Wednesday, March 12, 2025

Buy now

Ekskluzive: Bedri Shabani, i akuzuari për spiunazh, i dërgoi letër kryeprokurores së Speciales duke i kërkuar që të dëshmojë kundër ish-krerëve të UÇK’së

- Advertisement -

Bedri Shabani, bashkë me Muharrem Qerimin, po akuzohen për veprën penale “Spiunazhi”. Ata akuzohen se i përcollën informata të ndjeshme Agjencisë së Inteligjencës së Sigurisë së Serbisë (BIA) për shtetin e Kosovës në vazhdimësi. Shabani dhe Qerimi akuzohen, pos tjerash, se mblodhën informacione për ish-pjesëtarët e krerët e UÇK’së dhe tentuan ta krijonin një narrativë për një “Shtëpi të Verdhë” në Spitalin Ushtarak të UÇK’së në Mollopolc të Shtimes.

Gazeta Insajderi ka arritur ta shohë aktakuzën e Prokurorisë Speciale për rastin e Shabanit dhe Qerimit. Për Shabanin, avokati i tij, Besnik Berisha, pati thënë se është edhe dëshmitar në Gjykatën Speciale. Zyra e Prokurorit të Specializuar në Hagë s’e kishte komentuar fare këtë.

Në njërën nga materialet e prezantuara në aktakuzë, është edhe një letër që Bedri Shabani ia ka përcjellë kryeprokurores së Zyres së Prokurorit të Specializuar, Kimberly West. Në atë letër, siç e përshkruan aktakuza, Shabani kërkon “drejtësi” dhe do që të jetë dëshmitar i saj.

Shabani i prezantohet asaj si “ish-agjent sekret i UÇK’së i infiltruar në institucionet e larta të ish-Jugosllavisë“.

“…të jetë dëshmitar i saj, dhe jo dëshmitar i rremë, e i manipuluar nga ish Kryeprokurori Jack Smith. Kërkojmë drejtësi, dhe shpresojmë se Ju dhe prokuroret dhe hetuesit që ju që drejtoni do të nxjerrni të gjithë kriminelet para drejtësisë, urdhërdhënësit, vrasësit dhe ata që ndihmuan dhe fshehën krimet. Ju keni mbështetjen tonë dhe jemi të gatshëm të ofrojmë dëshmi dhe fakte të reja për të zbardhur të vërtetën…. Bedri Shabani ish agjent sekret i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës i infiltruar në institucionet më të larta të RSF të Jugosllavisë”, thuhet në letrën, të cilën e kanë siguruar si provë organi i akuzës.

Në një shënim tjetër të përgjysmuar, të evidentuar në aktakuzë, Shabani shpreh dyshime se punët s’po kryhen sipas planifikimeve për krimet e kryera gjatë luftës.

“Nga ky shenim vërtetohet se i pandehuri, i ka shkruar leter “Kryeprokurores se Gjykates Speciale” znj. Kimberly West, por se shkresa eshte e pergjysmuar. Megjithate, e njejta shkrese ndodhet edhe ne dosjen e marre nga shtepia e tij, ku përmes saj shpreh dyshimet per krime të kryera gjatë luftës së UÇK-së, dhe është i brengosur se punët nuk jane duke shkuar sipas planifikimeve dhe se (pandehuri Shabani), është i gatshem të bashkëpunoj me ta (Zyrën e Prokurorit Special)”, thuhet ndër të tjera në aktakuzë.

Po ashtu, në një shkrim tjetër që përfshihet në aktakuzë, Shabani kërkon që të hetohet më shumë përreth Spitalit Ushtarak të Zonës Operative të Nerodimes në Mollopolc të Shtimes.

“E nderuar zonja Kryeprokurore e Gjykatës Speciale, znj. Kimberly West. Ju lutem mos ndaloni, hetoni më shumë rreth Spitalit Ushtarak të Zonës se Nerodimes në Mollopolc”, thuhet në shënim që mban datën e 17 marsit të 2024-ës.

Bedri Shabani, derisa ka bërë këto veprime, sipas aktakuzës ka qenë në koordinim të vazhdueshem me zyrtarë të lartë të BIA-s. Ai ka tentuar edhe të fabrikojë narrativa për luftën e UÇK’së dhe ka synuar që përmes operacioneve të BIA’s të shkaktojë konflikt ndëretnik në territorin e Republikës së Kosovës.

Të ngjashme

122,026FansaPëlqeje
12,000NdjekësitNdjek

Të fundit