Njohësi i fushës së ekonomisë, Driton Smakaj, ka komentuar debatin mes pushtetit dhe LDK-së për numrin të të punësuarave.
Smakaj, ka thënë se Qeveria po gënjen me grafikonet për krijimin e vendeve të reja të punës, pasi sipas tij, ka veç formalizim “agresiv” dhe jo vende të reja të punës.
“Për të konkluduar, formalizimi agresiv i ekonomisë nuk nënkupton krijim i vendeve të reja të punës. Përkundrazi, në shoqëri shkakton më shumë probleme për familjet e varfëra sesa i zgjidh ato.” – ka shkruar ai në Facebook.
Shkrimi i tij:
U kënaqa duke i pa VV-në edhe LDK-në duke u hangër për ekonominë e Kosovës (Minstri Murati vs Hykmetja). Sidomos rreth grafikoneve të numrit të punësuarve.
Sipas grafikonit pa asnjë dyshim që ka një numër më të madh të punësuarve për rreth 78 mijë punëtorë më shumë sesa që kanë qenë para Qeverisë Kurti. Mirëpo, çka është e vërtetë në këtë mes, është veç formalizimi i ekonomisë, dmth ka pasë një shtytje agresive nga ana e qeverisë që mijëra punëtorë që kanë punuar pa dokumente, i kanë detyruar të hynë në sistem. Padyshim kjo është një gjë e mirë për mbledhjen e tatimit, por nuk përbën në asnjë rrethanë krijim të vendeve të reja të punës.
Pra ajo çka Qeveria Kurti po gënjen hapur, është që këto grafikone po i shesin në popull si krijim të vendeve të reja të punës. Përndryshe, kjo qasje agresive e formalizimi të ekonomisë, ka pasur edhe një efekt tejet negativ duke yshtur mijëra të rinj të ikin jashtë Kosovës. Mbi dyqindmijë të rinj e kanë lëshuar Kosovën prej që ka ardhur Qeveria Kurti në pushtet. Dmth qasja e qeverisë me demagogji duke tentuar me ndërtua narracion zhvillimi me statistika, ka shkaktuar probleme strukturore ekonomike, ku realisht janë shpenzuar mbi 12 miliardë euro buxhet, pa parë asnjë projekt madhor të përfunduar. Krejt çka kemi pa ka qenë një urë 3 metra edhe dy kilometra asfalt. Plus drama politike në Veriun e vendit.
Për të konkluduar, formalizimi agresiv i ekonomisë nuk nënkupton krijim i vendeve të reja të punës. Përkundrazi, në shoqëri shkakton më shumë probleme për familjet e varfëra sesa i zgjidh ato.
Në anën tjetër, qasja tejet destruktive e kësaj qeverie në sektorin e energjisë në vend, ka shkaktuar dëme të rënda në ekonominë e Kosovës. E duke mos pasur as plan e as strategji për të ndërtuar një Termocentral të ri, Kosova do të mbetet një satelit i varur për energji nga vendet fqinje të paktën edhe për dy dekada.