Ekspertët e çështjeve ekonomike thonë se që prej shpalljes së Pavarësisë, Kosova ka pasur kryesisht trende pozitive sa i përket rritjes ekonomike. Më së shumti ekonominë e ka dëmtuar mungesa e stabilitetit politik
Ish-kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gërxhaliu, ka thënë për EO duhet kuptuar që periudha më e vështirë e një shteti apo shoqërie është tranzicioni dhe Kosova e ka paguar një çmim shumë të shtrenjtë këtë proces të tranzicionit.
“Pika më e dobët ka qenë, definitivisht, ajo që në vazhdimësi kemi pasur mungesë të stabilitetit politik”, ka thënë ai.
Gërxhaliu thekson se nuk mund të jetohet vetëm përmes remitencave, andaj kërkon fuqizim të sektorit privat.
“Kosova është pjesë e procesit evropian dhe global. Kriza e ka bërë të veten, qoftë pandemia Covid19, qoftë kriza ekonomike pas pandemisë Covid. Fakti që jemi duke i përjetuar edhe efektet e krizës mes Rusisë dhe Ukrainës janë indikatorë të cilët vërtet e kanë vështirësuar procesin ekonomik dhe zhvillimin ekonomik në Kosovë. Nuk jetohet vetëm nga remitencat dhe nga aspekti i fuqizimit të sektorit privat duhet një partneritet dhe një dialog i mirëfilltë”.
Duke bërë një vlerësim të qeverisjes dyvjeçare të Kurtit, Gërxhaliu nuk sheh vend për vetëlavdërim.
“Përkundër asaj që flitet që kemi rritje ekonomike, që kemi rritje të buxhetit, rritje te të hyrave në dogana, në ATK, besoj që nuk vend për eufori dhe pompozitet për të arritura, sepse sfidat janë të shumta. Besoj ajo çka duhet të jetë prioritet i prioriteteve është një dialog i mirëfilltë dhe partneritetit publiko-privat”.
Ndërsa njohësi tjetër i çështjeve ekonomike, Jakup Bellaqa, tha se Kosova është përballur kryesisht me trende pozitive, por dhe negative, sa i përket rritjes ekonomike në këto 15 vjet prej pavarësimit. Dëmi më i madh, sipas tij, është bërë me privatizime. Ndërsa si të arritura ai veçon ndërtimin e autostradave për Shqipëri e Maqedoni të Veriut.
“Ekonomia e Kosovës gjatë këtyre 15 viteve ka pasur historikun e vet, përfshirë dhe ngecje. Në disa periudha ka pasur trende pozitive, në disa periudha trende negative”.
“Dihet që për shkak të luftës është shkatërruar ekonomia e Kosovës; diku 600 ndërmarrje janë shkatërruar. Administrata e UNMIK-ut ka qenë disa vite, pastaj është bërë privatizimi. Ka pasur disa dobësi që janë bërë në privatizim, sidoqoftë rreth 90 për qind e ekonomisë së Kosovës është e privatizuar. Pas pavarësisë ka pasur disa projekte madhore si Rruga e Kombit, rruga me Maqedoninë e Veriut etj”, u shpreh ai.
“Janë bërë disa hapa pozitivë, por nuk është bërë mjaftueshëm. Për të qenë Kosova funksionale duhet që të forcohet ekonomikisht. Sepse sovraniteti ekonomik e forcon sovranitetin juridik”, shprehet Bellaqa.