-0.6 C
New York
Saturday, December 21, 2024

Buy now

Ekonomia e Kosovës në “moment kritik” – rritja ekonomike, iluzion i inflacionit

- Advertisement -

Njohësit e çështjeve ekonomike thonë se ekonomia e Kosovës ndodhet në një momentum kritik dhe të hidhur.

Ish-kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gërxhaliu, thotë se janë një sërë arsyesh që tregojnë aktualisht për situatën jo të mirë të ekonomisë.

“Në radhë të parë duhet të kuptohet që Kosova është nën sanksione ekonomike dhe vetë fakti që je në këto masa tregon se çfarë mungese të realitetit politik ke”, thotë Gërxhaliu për Albanian Post.

Bazuar në këto, sipas Gërxhaliut, çdo deklaratë e cila vjen në këtë periudhë është e pabazuar dhe e paqëndrueshme.

“Çdo deklaratë e cila vjen në këtë kohë nga institucionet vendore, nuk ka bazë dhe nuk qëndron. Në këtë drejtim, Kosova ka nevojë për një rritje ekonomike substanciale dhe jo vetëm për rritje të importit dhe konsumit”.

“Definitivisht, është një situatë alarmante”, shton Gërxhaliu.

Ndërsa, ligjëruesi në Universitetin e Prishtinës, Nagip Skenderi, thotë se është dëshmuar që Kosova ka ngecur dukshëm në rritjen ekonomike.

Ai sqaron se rritja është rezultat i inflacionit, e jo rritja reale ekonomike.

“Në këtë kohë të fushatës zgjedhore ministri Murati me gjithë të tjerët nga VV-ja janë duke manipuluar në mënyrë të paskrupullt me statistika enorme të rritjes ekonomike”, deklaron Skenderi.

Sipas tij, nëse do të kishte rritje reale ekonomike, kjo do të reflektonte jo vetëm në ndaljen e popullatës jashtë vendit, por edhe dëshirën për t’u kthyer në vend.

“Në fakt jemi dëshmitar se Kosova ka ngecur dukshëm në rritjen ekonomike, rritja është rezultat i inflacionit, e jo rritja reale ekonomike”.

Si Gërxhaliu, të njëjtat fakte që tregojnë për mosrritje ekonomike përmend edhe profesori universitar.

“Inflacioni gjatë qeverisjes Kurti ishte diku mbi 23 për qind, investimet e huaja direkte mbi 95 për qind janë blerje në patundshmëri që nuk përkthehet në punësime. Kemi ikje masive të të rinjve jashtë vendit për të kërkuar mirëqenien sociale, të punësuarit dhe kuadrot lëshojnë vendin gjithashtu në pamundësi të mirëqenies sociale”.

“Kemi varfërimin e shportës elementare të konsumatorit dukshëm, pensionistët ballafaqohen me skamje të madhe për shkak të pensioneve të ulëta, mosharmonizim të pagave në të gjithë sektorët publik me ngritjen e çmimeve në treg, mosrealizim të projekteve të premtuara kapitale, teprica të paarsyeshme të mjeteve buxhetore”.

Ndër të tjera thekson se “ka vetëm manipulime me të dhëna”.

Murati, ka vlerësuar se ekonomia e Kosovës është duke shënuar rritje edhe në tre mujorin e dytë të këtij viti.

“Pas rritjes së theksuar në tremujorin e parë me 5.62%, ekonomia e vendit ka vazhduar rritjen edhe në tremujorin e dytë të këtij viti me 4.27% në terma realë sipas ASK-së, duke performuar dukshëm mbi projeksionet për rritje prej 3.8%-3.9%”, ka shkruar ai të premten.

Sipas tij, rritje po shënojnë edhe bizneset.

Për dy herë radhazi gjatë muajit mars, ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, kishte deklaruar se në Kosovë janë hapur më shumë biznese të reja sesa që janë mbyllur duke thënë se “po e demanton propagandën”, e cila sipas tij po bëhet nga opozita.

Por, që nga njohësit e çështjeve ekonomike këto deklarata ishin “jo profesionale” dhe “jo të qëndrueshme” në raport me realitetin.

Në programin katërvjeçar të Qeverisë aktuale të Kosovës qëndron zotimi për orientimin e ekonomisë kah prodhimi dhe eksporti.

Ministri Murati, gjatë gjithë kohës është arsyetuar me hapjen e bizneseve të reja, por që nga opozita është kritikuar për mbyllje të tyre për shkak të papunësisë.

Të ngjashme

111,400FansaPëlqeje
12,000NdjekësitNdjek

Të fundit