Kryetari aktual i Prishtinës, që po mëton edhe një mandat, Përparim Rama, ka folur hapur mbi ato që ai i përshkruan si “shantazhe” nga Qeveria Kurti.
Në Rubikon të Klan Kosova, Rama tha se ka pasur momente kur e kanë ftuar të bëhet pjesë e LVV-së në mënyrë që të mos ia bllokojnë projektet.
“Kjo ka qenë koha kur, ‘Eja me neve dhe s’ka problem, s’bllokojmë’. Kam thënë se kush janë ‘neve’. Unë ‘neve’ jam. Jam i Prishtinës, i Kosovës, dhe ne si përfaqësues të votave të popullit tonë duhet të punojmë bashkë për zgjidhjen e problemeve dhe të bashkëpunojmë në të gjitha projektet. Kurse ata e kanë parë Prishtinën sikur me qenë e huaja”, u shpreh Rama.
Tutje, ai tha se Kryeministri tashmë në detyrë, Albin Kurti, ka dashur ta marrë edhe projektin e Lojërave Mesdhetare.
“E ke parë edhe në Lojërat Mesdhetare. Përkundër faktit se unë, si kryetar i Kryeqytetit, jam ftuar të prezantoj dhe nënshkruaj, kanë ardhur kryeministri me ministra dhe kanë thënë ‘lëshoja kryeministrit, të mos e bëjmë këtë çështje politike, le ta prezanton ai’. Unë i falënderoj që kanë ardhur, kam menduar se kanë ardhur për përkrahje, por ata thanë ‘mos dil ti, se po del kryeministri, sepse përndryshe ne shkojmë dhe nuk e nënshkruajmë kontratën për të mbështetur investimet’ që është kërkuar të mbështeten”.
Këtë situatë, ai e quajti shantazh, teksa theksoi se qeveria Kurti ka tentuar t’ia ndryshojë emrin Lojërave Mesdhetare Prishtina2030 në Kosova2030.
“Absolutisht shantazh. Kontrata nuk e lejon nënshkrimin e kontratës nga dikush tjetër, sepse duhet vetëm emri i kryetarit të atij qyteti që do të jetë nikoqir i Lojërave Mesdhetare. Kanë tentuar t’ia ndryshojnë edhe emrin e Lojërave Mesdhetare, Prishtina2030, në Kosova2030. Aq urrejtje kanë ndaj kryeqytetit”, u shpreh kryetari aktual i Prishtinës, Përparim Rama.