Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Egzon Azemi, ka sqaruar deklaratën e tij të fundit që ngjalli reagime, se LVV ka më shumë veteranë se gjitha partitë tjera.
Gjatë një paraqitjeje në emisionin “Kosova Live” në T7, ai theksoi se deklarata e tij lidhej me përbërjen aktuale të grupit parlamentar të LVV-së, duke insistuar se qëndron pas kësaj dhe kjo është lehtë e verifikueshme.
“LVV ka më shumë veteranë se partitë tjera, kjo është lehtë e verifikueshme. LVV ka minimalisht 9 ose 10 veteranë tash në grupin parlamentar. Pa llogaritë këtu të burgosur politikë, aktivistë të hershëm të proceseve, qysh prej lëvizjeve ilegale që kanë kontribu jashtëzakonisht shumë në çlirimin e Republikës”, deklaroi Azemi.
Ai shtoi se qëllimi i tij nuk ishte të krijojë ndasi politike, por të theksojë rëndësinë e ruajtjes së vlerave të luftës.
“Por unë krejt çka kam dashte me thonë me atë deklaratë, që konsideroj se 26 vite pas luftës duhet të flasim më shumë se si t’i mbrojmë këto vlera të luftës e jo të tentojmë të përfitojmë në emër të këtyre emblemave historike”, u shpreh ai.
Në fund, Azemi theksoi se Ushtria Çlirimtare e Kosovës nuk i përket asnjë subjekti politik.
“Në fund, UÇK është e të gjithëve, e popullit pa dallim, dhe e asnjë subjekti politik”, përfundoi ai.





