-1.9 C
New York
Monday, December 8, 2025

Buy now

‘Efekti Hamza’: Si u rikonfigurua 10-shja e PDK-së për zgjedhjet e 28 dhjetorit?

- Advertisement -

Vetëm një vit më parë, “Top 10-shja” e PDK-së i ngjante formulës që ishim mësuar ta shihnim rëndom, një renditje relativisht e parashikueshme, e përbërë nga figura tashmë të njohura të partisë, pa befasi. Megjithatë, pasi mori besimin për ta drejtuar PDK-në, ndikimi i Hamzës duket se u përkthye menjëherë në një rikonfigurim interesant të dhjetëshes së parë.

Në listën për zgjedhjet parlamentare të 28 dhjetorit, tërheqja nga gara e Memli Krasniqit, i cili vetëm pak javë më parë dha dorëheqje nga posti i kryetarit të partisë, duket se hapi një mundësi të re ristrukturimi dhe krijoji një atmosferë të re në këtë parti drejt rikonfigurimeve të mëtejshme në renditjen e kandidatëve. Kjo e pasoi vendimin e Abelard Tahirit për mos t’u futur brenda dhjetëshes së parë, duke u hapur rrugën figurave të tjera të partisë.

Vendimet e Krasniqit dhe Tahirit i mundësuan kryetarit Hamza t’u hapë rrugë figurave të tjera të partisë, emra tashmë të njohur dhe më aktivë në opinion gjatë periudhës së fundit, sidomos gjatë fushatës për zgjedhjet e 9 shkurtit.

Uran Ismaili mori numrin dy në listën e këtyre zgjedhjeve. Ismaili, ndonëse nuk arriti ta fitojë Prishtinën në zgjedhjet lokale, dëshmoi sërish kapacitet mobilizues dhe ndikim në rritjen e votës së PDK-së në kryeqytet, duke u pozicionuar i treti por me diferenca të ngushta përqindjeje krahas kandidatëve të LDK-së dhe Vetëvendosjes.

Në përjashtim të nënkryetarëve Vlora Çitaku dhe Enver Hoxhaj, të cilët ruajtën numrat e tyre, renditja pasuese reflekton përzgjedhje interesante. Hamza ia besoi numrin pesë Arben Mustafës, i cili në zgjedhjet e kaluara garoi me një numër që vështirë mbahej mend.

Mustafa ka qenë një nga figurat opozitare më aktive gjatë viteve të fundit, i njohur për kritikat e tij ndaj ish-qeverisë Kurti, veçanërisht në çështjet që lidhen me ekonominë.

Një logjikë e ngjashme duket se është ndjekur edhe me Besa Kabashi Ramajn, të cilës i është besuar numri gjashtë. Në fushatën e zgjedhjeve të kaluar, zonja Kabashi Ramaj ishte më poshtë në listë.

Dhjetëshja përforcohet edhe me Eman Rrahmanin, i cili garon në kuadër të listës së PDK-së me numër tetë. Ndërkaq, numri dhjetë i është besuar Kujtim Gashit, i cili kompleton dhjetëshen e PDK-së./nacionale.com

Të ngjashme

Të fundit