Qumështi me çokollatë nuk konsiderohet më vetëm një pije e preferuar e fëmijëve. Studimet tregojnë se ai ofron përfitime ushqyese edhe për të rriturit, veçanërisht për rikuperimin muskulor pas aktivitetit fizik dhe për menaxhimin e oreksit.
Një nga përfitimet kryesore është përmirësimi i rikuperimit të muskujve pas stërvitjes.
Pas ushtrimeve, trupi ka nevojë për karbohidrate, proteina, yndyra, elektrolite dhe ujë.
Qumështi me çokollatë i përmban të gjitha këto elemente, duke u treguar po aq, ose edhe më efektiv se pijet sportive tradicionale për rikuperim dhe rihidratim, shkruan burimi Very Well Health.
Mes tjerash, ndihmon gjithashtu në forcimin e kockave.
Si produkt qumështi i pasuruar, qumështi me çokollatë përmban kalcium, i cili mbështet dendësinë kockore, dhe vitaminë D, që ndihmon në përthithjen e kalciumit nga organizmi.
Përveç këtyre, qumështi me çokollatë është burim i disa lëndëve të rëndësishme ushqyese, si magnezi, fosfori, kaliumi, proteina, vitamina A dhe B12, zinku dhe seleni, të cilat kontribuojnë në shëndetin e zemrës, trurit, muskujve dhe sistemit imunitar.
Falë përmbajtjes së proteinave dhe yndyrave, qumështi me çokollatë mund të ndihmojë edhe në frenimin e urisë, duke ju mbajtur të ngopur për më gjatë.
Disa studime sugjerojnë se konsumimi i produkteve të qumështit me yndyrë të plotë mund të lidhet me një rrezik më të ulët për shtim në peshë.
Së fundmi, hulumtime të tjera tregojnë se konsumimi i qumështit mund të lidhet me një rrezik më të ulët për disa sëmundje kronike, si sëmundjet e zemrës, diabeti i tipit 2 dhe osteoporoza, megjithëse nevojiten studime shtesë për të kuptuar plotësisht këto efekte.






