Drejtori i përgjithshëm i televizionit publik britanik BBC, Tim Davie, dhe shefja e lajmeve në këtë transmetues, Deborah Turness, dhanë dorëheqje të dielën pas akuzave për anshmëri në mediumin e njohur në mbarë botën, përfshirë mënyrën se si televizioni kishte edituar një fjalim të presidentit amerikan, Donald Trump.
Televizioni i financuar me fonde publike ka qenë nën presion në rritje pas një raporti të një ish-këshilltari për standarde, i cili përmend dështime në mbulimin e luftës mes Izraelit e Hamasit, çështjeve transgjinore dhe një fjalimi të Trumpit, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.
Presidenti amerikan i mirëpriti dorëheqjet, duke i quajtur “njerëz shumë të pasinqertë” dy figurat, pasi programi “Panorama” i BBC-së kishte edituar dy pjesë të njërit prej fjalimeve të tij dhe i kishte bërë bashkë, duke e bërë Trumpin të dukej sikur po e inkurajonte kryengritjen në Capitol Hill në janarin e vitit 2021.
Davie, i cili e ka udhëhequr televizionin publik britanik që nga viti 2020, e mbrojti mediumin, duke thënë se gazetaria e tij është parë si standard përreth botës. Megjithatë, shtoi se janë bërë gabime dhe se ai duhej ta merrte përgjegjësinë përfundimtare.
Zonja Turness, shefe ekzekutive e “BBC News”, gjithashtu dha dorëheqje. Në një shkresë elektronike dërguar stafit, ajo tha: “Dëshiroj që të jem absolutisht e qartë se akuzat e bëra rishtazi se BBC News është i anshëm institucionalisht janë të gabuara.”
I respektuar gjerësisht përreth botës, BBC-ja ende prin në sondazhe në Britani si mediumi më i besueshëm dhe ka shtrirje të gjerë në vend, duke ofruar lajme, emisione argëtuese dhe sport.
Megjithatë, televizioni viteve të fundit është akuzuar se ka dështuar që ta zbatojë zotimin për paanshmëri nga të dy taborët politikë.
Në raportin e brendshëm që ka rrjedhur thuhet se shërbimi i BBC-së në gjuhën arabe ka shfaqur anshmëri anti-izraelite gjatë raportimit për luftën në Gaza.






