Kryetari i Lëvizjes “Shqipëria Bëhet”, Adriatik Lapaj, ka publikuar një video të re në llogarinë e tij në “Facebook”, ku tregon momentet e prishjes nga policia të tendave të ngritura prej tij dhe mbështetësve të tij në trotuarin para Kryeministrisë. Sipas Lapajt, aty ai ka mbetur i dëmtuar dhe ndodhet në spital për ekzaminime.
“Edi Rama të bëj përgjegjës ty!”, thotë Lapaj në postimin e tij, teksa tregon atë që ndodhi. “Miq, mbrëmë pas mesnate dhjetëra forca të Edi Ramës u sulën të tërbuar mbi ne. I gjendur përballë dhunimit të së drejtës sime Kushtetuese për të shprehur mendimin tim përmes protestës, nuk kam lëvizur. Kam nisur të filmoj. Nga veprimet e tyre një prej ngrohëseve më ka goditur. Ndodhem te Spitali i Traumës ku po kryej ekzaminimet. Sërish do kthehem në shesh. Edi Rama unë nuk të kam frikë. Përkundrazi! Ti je kreu i një bande dhe do mbash përgjegjësi. I bëj thirrje kujtdo të bashkohet kundër hajdutëve!”, shkruan ai.






