Krerët e shtetit të Kosovës nuk e kanë uruar ende kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama pas betimit të tij dhe kabinetit të ri qeverisës.
Më 19 shtator, kabineti “Rama 4” bëri betimin në Presidencën e Shqipërisë, duke nisur zyrtarisht detyrën për mandatin e katërt e që është katërvjeçar.
i pari që ka uruar kryeministrin Rama për riemërimin e tij në këtë detyrë është presidenti i Ukrainës, Volodymir Zelensky.
Në një mesazh në rrjetet sociale, Zelensky shprehet se pret me padurim vijimin e bashkëpunimit.
“Urime Edi Ramës për riemërimin e tij si Kryeministër i Shqipërisë. Pres me padurim të vazhdojmë dialogun tonë të shkëlqyer dhe të punojmë së bashku për të arritur paqe dhe siguri të qëndrueshme për të gjithë Evropën”, u shpreh Presidenti Zelensky.
Zelensky i uroi kryeministrit Rama çdo sukses në zbatimin e planeve të tij ambicioze për Shqipërinë, përfshirë edhe në rrugën e saj drejt anëtarësimit në Bashkimit Europian.
Ramën e ka uruar edhe kreu i Partisë për Bashkimin Demokratik për Integrim në Maqedoninë e Veriut, Ali Ahmeti.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Ahmeti i shprehu kreut të qeverisë përkrahjen e tij në “mbështetje të Shqipërisë evropiane dhe të ecjes pa asnjë ndalesë, me hapa të sigurt dhe të shpejtë, drejt integrimit të plotë evropian”.
Ministri i jashtëm i Izraelit, Gideon Sa’ar i dërgoi mesazh urimi Kryeministrit Edi Rama dhe ministres së Jashtme Elisa Spiropali, pas betimit në Presidencë dhe marrjes zyrtarisht të detyrave të tyre.
Ministri Sa’ar shkruan se Izraeli vlerëson miqësinë e gjatë midis kombeve tona dhe veçanërisht miqësinë e Kryeministrit Rama.
Megjithatë, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, nuk ka bërë asnjë reagim publik apo postim në rrjetet sociale që lidhet me rizgjedhjen dhe betimin e Ramës si kryeministër i Shqipërisë.
Njëjtë edhe kryeministri në detyrë, Albin Kurti, nuk ka uruar Ramën për mandatin e ri, pas zgjedhjeve të mbajtura në Shqipëri, më 11 maj.
As kryetari i Kuvendit të Kosovës, Dimal Basha, nuk ka shprehur publikisht urime për Edi Ramën lidhur me mandatin e ri. Megjithatë, një ditë më parë, ai ka zhvilluar një takim me Ambasadorin e Shqipërisë në Kosovë, Petrit Malaj, ku ka përgëzuar zgjedhjen e kryetarit të ri të Kuvendit të Shqipërisë, por pa përmendur Ramën.
Edhe krerët e partive të tjera politike në Kosovë, përfshirë Partinë Demokratike të Kosovës, Lidhjen Demokratike të Kosovës, Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nismën Socialdemokrate, nuk kanë bërë ende ndonjë urim publik për Edi Ramën me rastin e fillimit të mandatit të tij të katërt si kryeministër i Shqipërisë.
I vetmi urim nga Kosova që deri tash dihet është ai i ministres në detyrë të Punëve të Jashtme e Kosovës, Donika Gërvalla, e cila ka uruar ministren e Jashtme të Shqipërisë, Elisa Spiropali por pa përmendur askund kryeministrin Rama.
Lidhur me këtë KosovaPress ka pyetur edhe zyrën për media në Qeverinë e Shqipërisë, por se të njëjtin nuk janë përgjigjur.
Përndryshe, është shkruar disa herë për raporte të ftohta mes kryeministrit të Shqipërisë Edi Rama dhe kryeministrit në detyrë të Kosovës, Albin Kurti.
Mospajtimet filluan në vitin 2019 kur Kurti, i përfshirë në protesta studentore dhe si figurë kritike ndaj politikave të Edi Ramës, e kritikoi qeverinë shqiptare për çështje të arsimit dhe kulturës. Kjo konsiderohet si njëra nga “thyerjet e para” në marrëdhënie.
Raportet u acaruan edhe në vitin 2019 kur Kurti u kundërshtua në mënyrë të hapur ndaj disa ideve që Edi Rama bashkëkohësisht promovonte, përfshirë edhe ide të lidhura me bashkëpunim rajonal, kufij, dhe influencë politike
Ato vazhduan edhe kur dega e Lëvizjes Vetëvendosje në Shqipëri vendosi zyrtarisht të marrë pjesë në zgjedhjet e 25 prillit të vitit 2021. Vendimi i Kurtit për të bërë fushatë në Shqipëri ka nxitur kritika nga rivalet e tij politikë në Kosovë, të cilët e kanë quajtur ndërhyrje në punët e brendshme të Shqipërisë. Vetëvendosje në Shqipëri mori pjesë në zgjedhjet e fundit me tre kandidatë, konkretisht me Boiken Abazin në qarkun e Tiranës, Iliaz Shehu në Lezhë dhe Kreshnik Merxhanin në Gjirokastër, por pa siguruar asnjë mandat.
Ndërkaq, në korrik të vitit 2023, kur Rama ishte për vizitë në Kosovë, pavarësisht kërkesës së tij, tani kryeministri në detyrë, Albin Kurti nuk pranojë ta presë kryeministrin e Shqipërisë, në një takim të veçantë.
Atëkohë, Kurti pati thënë se nuk e sheh të arsyeshëm një takim të tillë pa mbajtjen e mbledhjes së përbashkët të të dy qeverive, e cila u anulua një ditë para se të niste punimet në muajin qershor nga kryeministri Edi Rama.
Por në maj të 2025, Ramën dhe Kurtin i bëri bashkë samiti i tretë rajonal për Planin e Rritjes për Ballkanin Perëndimor. Sipas imazheve që u bënë virale në rrjet, u komentua një shtrëngim i ftohtë duarsh mes Ramës e Kurtit. Megjithatë, raportet e ftohta vazhdojnë