Në një reagim të publikuar të premten, PDK ka falënderuar kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, për ftesën për takim, duke theksuar se mbetet e hapur për komunikim dhe dialog politik sa herë që kjo i shërben stabilitetit institucional dhe interesit të vendit.
Megjithatë, kjo parti thekson se në rrethanat aktuale është e rëndësishme të pritet vendimi përfundimtar i Gjykatës Kushtetuese, duke pasur parasysh se ky institucion ka vendosur masë të përkohshme që pezullon procesin e zgjedhjes së presidentit dhe çdo veprim të mëtejshëm të Kuvendit në këtë drejtim.
Sipas PDK-së, vendimi përfundimtar i Gjykatës Kushtetuese pritet të merret deri më 31 mars, dhe ai do të qartësojë hapat e mëtejmë institucionalë.
Partia Demokratike e Kosovës thekson se respektimi i vendimeve të Gjykatës Kushtetuese dhe i procedurave institucionale është mënyra më e përgjegjshme për të garantuar stabilitet politik dhe institucional në Kosovë.
Kujtojmë se të njejtin qendrim e ka ndarë edhe kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku i cili tha se do t’i përgjigjet pozitivisht ftesës së Kurtit, por vetëm pas vendimit të Kushtetuese.






