Lëvizja Vetëvendosje po vazhdon sulmin ndaj subjekteve tjera politike dhe ish-liderëve të vendit, sikur të ishte ende në opozitë.
Këtë po e dëshmon çdo ditë e më shumë, duke akuzuar partitë opozitare, disa prej të cilave kishte bashkëpunuar më parë me to, për 20 vitet e qeverisjes, shkruan lajmi.net.
VV-ja nuk ka kursyer akuzat edhe ndaj krerëve të sindikatave të Kosovës, të cilët me të drejtë apo jo kanë dalë në mbrojtje të kërkesave të anëtarëve të tyre.
Së fundmi, Lëvizja Vetëvendosje ka publikuar edhe një video në faqen zyrtare në Facebook, ku sërish ka drejtuar akuza ndaj ish-drejtuesve të shtetit, duke i akuzuar për shkatërrimin e vendit për 20 vjet. VV-ja ka thënë se shkatërrimi dhe “lufta” ndaj Qeverisë nga partitë opozitare po vazhdon duke bashkëpunuar me krerët e sindikatave, duke akuzuar kështu krerët e sindikatave për bashkëpunim me partitë e opozitës kinse për të rrëzuar Qeverinë Kurti.
Në videon e publikuar, Vetëvendosje shpërfaqet si parti që nuk ka bashkëpunuar me partitë opozitare, edhe pse VV-ja deri më tani në një formë ose tjetër ka qenë në bashkëpunim me të gjitha partitë politike, përpos me Partinë Demokratike të Kosovës.
“Lufta” e VV-së me sindikatat e vendit ka filluar kur krerët e sindikatave kanë kërkuar ngritje pagash, duke paralajmëruar greva nëse kërkesat e tyre nuk plotësohen. Edhe pas disa takimeve me krerët shtetërorë, marrëveshja me sindikatat nuk u arrit andaj vendi ishte në një grevë pesë-javore në arsim dhe administratë publike. Ajo u ndërpre vetëm kur 65 për qind e anëtarëve të SBASHK votuan pro ndërprerjes së grevës dhe fillimit të procesit mësimor.
Por, ndërprerja e grevës si duket po shihet si një “humbje” e SBASHK-ut, duke vazhduar kështu linçimet ndaj këtyre sindikatave dhe kreut të saj, Rrahman Jasharaj.
Lëvizja Vetëvendosje ishte kritikuar edhe më herët në opinionin publik për qasjen e saj ndaj sindikatave dhe çështjeve të brendshme, pasi që shpesh herë ka përdorur kritikën ndaj qeverive të kaluara, për t’i trajtuar problemet aktuale në vend.